Portali i dyshimtë “Newsbay24.com/rts/”, ka publikuar një lajm në titullin e të cilit thuhet se ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, e ka quajtur mashtrues kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Mirëpo, me të parë përmbajtjen e artikullit të publikuar nga ky medium, vërehet menjëherë se titulli nuk i përshtatet fare tekstit, ku flitet për një koment në Facebook që Abrashi e ka shkruar në statusin e gazetarit, Nebih Maxhuni.
Teksti origjinal i publikuar në portalin Newsbay24.com/rts/:
Abrashi: Smuj e kuptoj qysh populli i beson Albinit nje politikani mashtrues
Gazetari Maxhuni më 6 gusht të këtij viti ka komentuar në profilin e tij në Facebook për iniciativën e VV-së për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa në këtë postim ka reaguar Abrashi duke thënë:
“Na akuzojshin neve, a vet e harrun pandemine, o maj gad”.
Analizë:
Artikulli i portalit “Newsbay24.com/rts/” përmban titull të rremë, i cili nuk ka të bëjë me tekstin brenda, me të cilin synohet që të përfitohen klikime dhe shpërndarje në rrjete sociale. Ky publikim karakterizohet si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Clickbait – “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.