Shkroi: Etrit Rexhepi
Një mesazh paralajmërues me pretendimin për kufizim të llogarisë në Facebook.
Mesazhi me këtë përmbajtje në gjuhën shqipe u ka ardhur qytetarëve në aplikacionin, “Messenger”.
Çka nuk është në rregull me këtë mesazh?
Mesazhi përmban vegëz, e cila mund të jetë mashtrim dhe se nuk vjen nga Facebook.

Vegëza e përfshirë në mesazh, pretendohet se paraqet mundësinë, ku marrësi i këtij mesazhi mund të bëjë ankesë për të shmangur pezullimin e përhershëm të llogarisë pas pretendimit për kufizim të saj.
Hibrid.info ka kontrolluar këtë vegëz (shih këtu).
Pas klikimit të saj, është hapur një faqe si imitim i asaj të rrjetit social Facebook.

Dritarja e hapur pas klikimit shfaq hapësirat që të shkruani të dhënat tuaja dhe të kyçeni në llogarinë tuaj në Facebook.
Nuk është hera e parë që hibrid.info ka trajtuar mesazhe të tilla (shih këtu dhe këtu), andaj për shkak të rrezikut për keqpërdorim të të dhënave, në hulumtim nuk është vijuar me ofrimin e të dhënave në hapësrat e paraqitura, pas klikimit të vegëzës.
Hibrid.info ka kontrolluar me anë të “scam-detector.com”, platformë që vlerëson vërtetësinë e ueb-faqeve dhe me anë të rezultateve të paraqitura, mund të vlerësojë se kjo vegëz është e dyshimtë.
Platforma në fjalë thekson se faqja e hapur mund të jetë mashtrim dhe të rrezikojë të dhënat tuaja personale, kështu që ju udhëzon të jeni të kujdesshëm (shih këtu).
Gjithashtu, mesazhi nuk është dërguar nga platformat e META-s. Në kontrollin e llogarisë që ka dërguar mesazhin, nuk është gjetur ndonjë e dhënë, përveç faktit se emri i llogarisë është shkruar me shkronja të gjuhës greke (shih këtu).
Facebook, në të kaluarën ka lëshuar njoftime për përdoruesit në lidhje me këto mesazhe të rreme, duke sqaruar se nuk duhet t’u besohet atyre.
Ju mund t’i besoni një mesazhi nga platformat e META-s nëse adresat përfundojnë me:
facebookmail.com (duke përfshirë priority.facebookmail.com )
facebook.com (duke përfshirë support.facebook.com dhe developers.facebook.com )
fb.com
metamail.com
meta.com
Analiza:
Një mesazh i dërguar në Facebook, që pretendon se përdoruesit do ti kufizohet llogaria, pas përdorimit të emrave/imazheve të njerëzve të tjerë dhe i njëjti ka shpërndarë lajme të rreme, është një mashtrim.
Dërguesi dhe vegëza e përfshirë në mesazh nuk janë të besueshme. Hibrid.info ka përdorur platforma të verifikimit të ueb-faqeve për të analizuar këtë vegëz dhe ka zbuluar se ajo është e dyshimtë dhe e lidhur me faqe të tjera mashtruese.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë mesazh si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.