Artikulli me titull “LAJM I MIRË/ Anglia kërkon 2 milionë punëtorë, këto janë procedurat për aplikime”, është publikuar dje (12 tetor) nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “fakti.seedoof.com”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull dhe ka vërtetuar se titulli është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se ky artikull është i vjetër, i publikuar nga mediumi britanik “Metro.co.uk” me datë 24 shtator 2021.
Gjithashtu, në përmbajtje të këtij artikulli nuk paraqitet ndonjë sqarim i procedurave për aplikim për punë në Angli, siç pretendohet në titullin e vendosur nga portali i dyshimtë “fakti.seedoof.com”.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “fakti.seedoof.com”:
I njëjti artikull është shpërndarë edhe nga faqja “Gazeta FAKTI” në Facebook, e cila numëron afër 80 mijë ndjekës. (shih këtu)
Hibrid.info pas hulumtimit të kryer, ka gjetur artikullin autentik të publikuar me datë 24 shtator nga mediumi britanik “Metro.co.uk”, në të cilin thuhet se “shpalljet për punë arrijnë rekord të lartë me 2 milionë punëtorë të nevojshëm për Mbretërinë e Bashkuar”, por që nuk ofrohen procedura për aplikim. (shih këtu)
Këtë artikull të “Metro.co.uk” e kanë publikuar më 25 shtator 2021 edhe disa media online në gjuhën shqipe si “KlanKosova.tv” dhe “BuletiniEkonomik.com”.
Analiza:
Portali i dyshimtë “fakti.seedoof.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2021, atëkohë kur Mbretëria e Bashkuar ishte në kërkim të 2 milionë punëtorëve.
Këtë artikull, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, duke i vënë edhe titull të rremë se në përmbajtje gjenden procedurat për aplikim për punë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.