Shkroi: Etrit Rexhepi
Ardhja e 30 autobusëve të rinj në Prishtinë ishte paralajmëruar disa herë në mandatin e Përparim Ramës, kryetarit të kësaj komune.
Ndërsa, ishte Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Komunës së Prishtinës, ai që deklaroi i pari marrjen e kredisë për blerjen e 30 autobusëve të rinj, të cilët sipas tij do të bliheshin në vitin 2021.
Çka ndodhi me autobusët e rinj?
Hibrid.info ka gjetur se pavarësisht të gjitha paralajmërimeve, duke u përmendur data të caktuara, në vitin e fundit të udhëheqjes së kryetarit Rama, Prishtina ende nuk i ka autobusët e rinj.
Analiza:
Përparim Rama fitoi shumicën e votave në balotazhin e zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit në vitin 2021, për të drejtuar kryeqytetin për katër vjet.
Hibrid.info ka hulumtuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i komunave” të Institutit GAP ku është e publikuar shkalla e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025.
Kjo platformë është shfrytëzuar për të kontrolluar premtimet zgjedhore të kryetarit aktual të Prishtinës.
Në mesin e këtyre zotimeve nuk është gjetur asnjë i tillë që tregon se Rama në fushatë, e ka premtuar rritjen e numrit të autobusëve gjatë qeverisjes së tij.
Për shkak se ardhja e 30 autobusëve të rinj ishte një projekt i parealizuar i qeverisjes paraprake, realizimi i këtij angazhimi i kishte mbetur kryetarit Rama.
Alban Zogaj, nënkryetari i komunës së Prishtinës, kishte shkruar në Facebook se po negociohet kredia e re me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), në vlerë prej mbi 10 milionë eurosh, për blerjen e autobusëve të rinj. Sipas këtij postimi të datës 14 nëntor të vitit 2022, marrëveshja nënshkruhej në atë vit, ndërsa autobusët do të ishin në Prishtinë në vitin e 2023.
Në bazë të artikujve të publikuar (10 maj, 2023) në mediat “paparaci.com” dhe “insajderi.org”, ardhjen e autobusëve gjatë vitit 2023 e deklaroi edhe vetë Rama (shih këtu dhe këtu).
71 ditë më vonë, në një publikim në llogarinë e tij në Facebook, Rama shkroi se shumë shpejt flotës së Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrikë, pa e përmendur kohën e ardhjes së këtyre autobusëve.
Ndërsa, në një artikull (3 tetor, 2023) të publikuar në portalin “indeksonline.net”, në bazë të një interviste me nënkryetarin Zogaj, raportohet se në pjesën e parë të vitit 2024, “Prishtina do t’i ketë 30 autobusë të rinj”.
Kjo vërteton se autobusët nuk erdhën në vitin 2023.
E Prishtina nuk u pajis me autobusë shtesë, as në vitin 2024. Kjo u dëshmua me anë të një statusi të Ramës në Facebook (22 maj, 2024), ku u tregua se nga 1 janari 2025, do të ketë flotë të re të autobusëve.
Megjithatë, sipas një artikulli të publikuar (14 shtator, 2024) në mediumin “koha.net”, të hasur nga hibrid.info, u raportua se ishte pezulluar ardhja e autobusëve të rinj në kryeqytet, gjë e cila njoftonte se autobusët nuk pritej të vinin as në datën e paralajmëruar nga Rama.
Hibrid.info gjeti një artikull të publikuar më 30 janar nga i njëjti medium, ku jipet lajmi se premtimi i Ramës për sjelljen e 30 autobusëve të rinj ku 6 prej tyre do të ishin elektrikë, nuk është realizuar ende.
Sipas deklaratës së nxjerrë nga teksti i këtij artikulli, Bekim Brestovci, drejtori i Shërbimeve Publike ka pohuar se shanset për ardhjen e autobusëve të rinj janë të vogla.
Citati i Brestovcit marrë nga artikulli i “koha.net”:
“E vërteta është që ne nuk jemi palë në blerjen e autobusëve që ajo do të bëhet nga ‘TU’, më anë të një huamarrje, ne jemi vetëm garantues. Është e paarsyeshme për mua kjo stërzgjatje, që nga koha kur janë premtuar deri më tani. Unë nuk kam ndonjë pritshmëri që kjo gjë do të realizohet shpejt, mirëpo ne jemi në shërbim të qytetarëve pavarësisht asaj që a e realizon ardhjen këtë vit ‘TU’, apo nuk e realizon. Për këtë gjë ne e kemi bërë hapin e parë dhe i kemi kontraktuar të gjitha linjat ekzistonte në bazë të rregullores së vitit 2006”, tha Brestovci. “Arsyeja se pse po ndodh vonesa e sjelljes së autobusëve, unë realisht nuk e di sepse siç e thash për këtë gjë është përgjegjës ‘TU’. Ne nuk jemi të implikuar si Komunë, por vetëm ndërmarrja. Siç shihet nuk i kanë përfunduar parakushtet, konform kontratës me BERZH-in, me këtë rast do të kishim pasur mundësi që të fillojmë me procedurën e tenderimit. Deri më tani nuk kemi as proces të tenderimit e pastaj ai është një afat kohor jo i shkurtë”.
Nuk dihet se kur apo nëse do të realizohet premtimi për shtimin e autobusëve, por ajo që është vërtetuar është se, megjithë zotimet ndër vite, 30 autobusët e rinj ende nuk kanë ardhur.
Përfundimi:
Gjatë mandatit të kryetarit Përparim Rama, u premtua ardhja e 30 autobusëve të rinj në disa raste, duke u dhënë edhe afate të caktuara.
Por, deri më tani autobusët e premtuar nuk kanë ardhur.
Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos realizimin e këtij projekti si “premtim jo të mbajtur”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.
Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).