Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dje (27 prill) në emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri) ka deklaruar se në takimin e saj me përfaqësuesit e SHBA-së, ka shprehur shqetësimin që e ka Beogradi zyrtar për, siç shprehet, përshkallëzimin e dhunës në Kosovë. Ajo ka pretenduar se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, janë të inskenuar nga Prishtina zyrtare.
Bërnabiq, gjithashtu ka pretenduar pa fakte se në vitin 2021, numri i sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është rritur më shumë se 30, tek monumentet kulturore e fetare. Ajo ka shkuar më tutje duke folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se mbron të gjitha tezat e nazistëve nga Lufta e Dytë Botërore dhe se dëshiron të dëbojë serbët.
Pjesa e intervistës, që flet për sulmet ndaj serbëve dhe monumenteve fetare ortodokse në Kosovë:
Dje e thamë qartë se jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe se kjo shihet në çdo gjë, edhe në faktin se në vitin 2021, numri I sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është rritur më shumë se 30, në manastire, tek monumentet kulturore e fetare të cilat mbesin të rrezikuara. E gjitha kjo kulmoi nga Albin Kurti, duke revokuar të drejtat themelore të njeriut për serbët.
Nga ajo që e ka deklaruar kryeministrja serbe, shihet që ekziston një narrativë e ndërtuar, por duke mos e argumentuar me ndonjë fakt.
Vegëza e intervistës së Bërnabiqit dhënë për emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri):
Ky pretendim i kryeministres së Serbisë, i cili nuk bazohet në asnjë fakt, është publikuar edhe në disa media online në Kosovë. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Pretendime të ngjashme ka pasur edhe më herët nga zyrtarë serbë, të cilët pa fakte kanë deklaruar lidhur me prishjen e objekteve fetare e dëbimin e serbëve nga Kosova.
Këso lloj pretendimesh janë bërë në të kaluarën nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Komisioni për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, dhe udhëheqësit e tyre, Petar Petkoviq përkatësisht Millovan Drecun.
Disa nga pretendimet serbe që nuk argumentohen me asnjë fakt, janë trajtuar nga stafi i hibrid.info. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Analiza:
Pretendimi i kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, se numri i sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është rritur më shumë se 30, në manastire, tek monumentet kulturore e fetare, është tërësisht e pabazuar.
Gjithashtu, edhe pretendimi i saj se kryeministri Kurti mbron të gjitha tezat e nazistëve nga Lufta e Dytë Botërore dhe se dëshiron të dëbojë serbët, është i pa bazuar në asnjë fakt që dëshmon një gjë të tillë.
Për këtë arsye, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të Bërnabiq si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.