info@hibrid.info
Deepfake i pranishëm edhe në përmbajtjet për rastin e vrasjes së gruas në Prishtinë
shape
shape
shape

Rasti i vrasjes së Liridona Ademaj Murseli, gjatë mbrëmjes së 29 nëntorit në Prishtinë, është përcjellur me raportime të njëpasnjëshme nga mediat e vendit. (shiko këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Rasti bëri bujë për shkak të ndjeshmërisë dhe rrethanave të ngjarjes. Kjo bëri që të ketë empati të madhe nga audienca, e që u konvertua edhe në interes për të lexuar e shikuar informacione rreth kësaj ngjarje.

Mes raportimeve të mediave që përmbushnin standardet elementare të praktikës gazetareske, pati edhe shumë publikime në media sociale që kishin përmbajtje pjesërisht të saktë, por kishte edhe nga ato që ishin tërësisht të pasakta ose të fabrikuara.

Hibrid.info, gjatë kësaj periudhe ka monitoruar disa nga këta publikues/faqe në Facebook që kanë përdorur teknikën e deepfake për të gjeneruar përmbajtje tërësisht të fabrikuar të viktimës Liridona Ademaj Murseli.

Si shembull i fundit është videoja e publikuar në median sociale Facebook, nga faqet me emër “Rozaria” dhe “Realiteti”. Në video paraqitet imazhi i viktimës të cilës i është shtuar një regjistrim zanor duke pretenduar që ajo po flet në lidhje me vrasjen e saj. (shih këtu dhe këtu)

Ndonëse kjo video nga audienca mund të kuptohet që nuk është reale, përsëri ngjallë reagime dhe interakitivitet në faqet në Facebook, e këtë e dëshmon edhe numri i arritur i interaktivitetit në postim, ku aktualisht në njërin postim janë arritur mbi 1 milionë klikime, mbi 40.000 pëlqime, 6000 komente dhe rreth 5000 shpërndarje, ndërsa në postimin tjetër numërohen 42.000 shikime, mbi 500 pëlqime, 70 komente dhe mbi 170 shpërndarje. Pra, kjo video ku i është integruar zëri imazhit të viktimës, vlerësohet si ‘DeepFake’.

‘Deepfake’, në përkufizimin që i bëhet si term nga fjalori i Cambridge kuptohet si “një video ose regjistrim zanor që zëvendëson fytyrën ose zërin e dikujt me atë të dikujt tjetër , në një mënyrë që duket reale”. (shiko këtu)

Kjo metodë fabrikimi kryesisht përdoret me figura senzacionale ose politike që ngjallin interes për shikim në audiencë. Hibrid.info ka trajtuar artikuj me shembuj të tillë si: videoja e ish-presidentit amerikan, Barack Obama(shih këtu), videoja e kryeministrit Albin Kurti duke folur gjuhën arabe (shih këtu) etj.

Mënyra e raportimit për ngjarjet që prekin emocionet njerëzore dhe që shkaktojnë reagime në publik, është e komplikuar dhe delikate. Këtë e trajton edhe një artikull i blogut “Historiesofemotion.com” duke shtuar se “raportet e lajmeve duhet të shmangin ‘mbulimin mediatik sensacionalist dhe afatshkurtër që lodh audiencën në paradën e saj të pamëshirshme dhe të pafundme të vdekjes dhe tmerrit’”. (lexo këtu)

Video-ja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cila qarkulloi në rrjet në fillimet e luftës Rusi-Ukrainë është shembull tipik i përmbajtjes deepfake, që tregon se qëllimi i këtyre përmbajtjeve është gjenerimi i një numri sa më të madh audience në rrjet. (shiko këtu) Videon në të cilën Zelensky shihet i veshur me këmishë të gjelbër dhe duke iu drejtuar ukrainasve t’i ulin armët në luftën kundër Rusisë, e ka trajtuar edhe hibrid.info. (shiko këtu)

Share With Others

Translate »