Faqja në Facebook “Gazeta Rich Shqip” ka publikuar sot (24 nëntor) një artikull me titull “Ashtu siç Millosheviç e humbi Kosovën! Edhe Vuçiq do e humb Preshevën dhe Nishin e Shqiptarëve!”
Pas verifikimit të fakteve të bëra nga hibrid.info është gjetur se ky lajm është i vjetër, i publikuar më 1 korrik 2021 nga portali dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe– “mynews24hr.com”. (këtu)
Faqja “Gazeta Rich Shqip” cila numëron rreth 110 mijë ndjekës në Facebook, ka publikuar lajm të vjetër, me pretendimin ta paraqesë atë si aktual.
Lajmi ndërlidhet me deklaratat e opinionistit dhe avokatit nga Shqipëria, Spartak Ngjela, të bëra në tetor të vitit 2018, i cili pati thënë se “Serbia e Milosheviçit e humbi me turp një luftë me Amerikën, dhe u çlirua Kosova, mos kërkon edhe Vuçiçi të humbasë edhe ky një luftë tjetër që të çlirohet edhe Presheva shqiptare, edhe Nishi shqiptar”.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Gazeta Rich Shqip”:
Ky artikull është publikuar në kohë reale (03 tetor 2018) në disa media në gjuhën shqipe, pra në momentin kur Ngjela kishte bërë deklaratën e lartcekur në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në kohë reale (03 tetor 2018) në disa media online në Kosovë. (këtu, këtu)
Hibrid.info ka arritur të gjejë edhe deklaratë e Ngjelës, e publikuar në llogarinë e tij në Facebook. (këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook “Gazeta Rich Shqip” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit tetor të vitit 2018, me pretendimin ta paraqesë atë si aktual.
Lajmi kishte të bënte me një deklaratë të avokatit të njohur shqiptar, Spartak Ngjela, të bërë lidhur më zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson atë si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.