Shkroi: Fatbardh Dema
Në disa media në gjuhën shqipe, përmes titujve janë dhënë konstatime për rezultatet për vota për liderët e partive nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, teksa ende nuk ka marrë fund procesi i numërimit.
Diskursi kryesisht ka qenë rreth numrit të votave të kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Janë bërë krahasime të trendit të votave për të dhe për partinë, si dhe krahasime me votat që kishte marrë Vjosa Osmani (tash presidente) në zgjedhjet e 2021-s, si personi më i votuar deri tash.
Disa prej titujve se si u raportua më 19 shkurt:
“Vjosa Osmani mbetet e ‘pathyeshme’- As Albin Kurti nuk arrin t’ia thyej rekordin”.
“Bedri Hamza kandidati më i pëlqyer për kryeministër brenda elektoratit të tij, Kurti në vend të dytë”
Çka përmbanin raportimet?
Sipas shkrimeve të disa portaleve, pas numërimit të rreth 80 për qind të votave, Albin Kurti si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër dhe i pari në listën e kandidatëve të kësaj partie, kishte marrë 222 mijë e 382 vota. E krahasimi i këtyre votave u bë me numrin prej 300 mijë e 756 sa kishte marrë Osmani në zgjedhjet e 2021-s. Ndonëse artikulli i “gazetablic.com”, i publikuar të mërkurën (19 shkurt) përmend faktin se janë rezultate preliminare, ky medium ka vazhduar duke konstatuar në titull se Kurti nuk e kalon me vota Osmanin e madje edhe se Osmani ka pasur 78 mijë e 374 vota më shumë më 2021 se që mori Kurti sivjet.
E të enjten (20 shkurt), ky medium në një artikull tjetër ka thënë se pas përditësimit të votave për kandidatët e VV-së, Albin Kurti ka mbërritur në gati 250 mijë vota. (shih këtu)
Ndërkaq në një artikull të së mërkurës, “gazetaexpress.com” doli me titull në të cilin pretendonte se Kurti i ka marrë 120 mijë vota më pak se partia. “Kurti 120 mijë vota më pak se partia – larg Osmanit, Hamza mbi 135 mijë, Abdixhiku 95 mijë – sa u votuan liderët” mbante titullin ky artikull, që në përmbajtje e vinte në pah se ky pretendim vlen pas numërimit të “rreth 80 për qind të votave”.
Pra u mor për bazë krahasimi i votave për Kurtin pas 80 për qind të vendvotimeve të proceduara në votat për kandidatë, me gati 100 për qind të votave të numëruara për partitë.
“Nacionale.com” ka publikuar të mërkurën një artikull me titull “Bedri Hamza kandidati më i pëlqyer për kryeministër brenda elektoratit të tij, Kurti në vend të dytë”. Artikulli bazohej në një statistikë të nxjerrë nga analisti Albert Krasniqi, që merrte për bazë të dhënat e deri asaj kohe për partitë dhe kandidatët e tyre, sipas numërimit të 80 për qind të vendvotimeve për votat për kandidatë. Sipas analizës së tij, kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, kishte marrë 74 për qind të votave që i ka marrë partia dhe printe si lider me popullaritet brenda partisë.
Pra krahasimi ishte bërë duke marrë për bazë rezultatet e deri atëkohshme (80 për qind të vendvotimeve të numëruara) me numrin e votave të partive pas numërimit të gati 100 për qind të votave në nivel vendi, pa diasporën dhe votat tjera me kusht e të personave me aftësi të kufizuara.
Ku është pasaktësia?
Në momentin e publikimit të këtyre artikujve, sipas vetë portaleve që kanë publikuar lajmet, në atë kohë përqindja e numërimit të votave për kandidatë për deputetë ka qenë nga numërimi i rreth 80 për qind të vendvotimeve. Kjo përqindje nuk i përfshin votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe votat e diasporës. Deri më 19 shkurt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thënë se nga vlerësimi i më shumë se 38 mijë pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës gati 36 mijë pako janë aprovuar (shih këtu). Gjithsej nga diaspora janë më shumë se 84 mijë vota (15.352 që kanë votuar në përfaqësi diplomatike dhe 68.712 me postë) (shih këtu). Janë edhe më shumë se 12 mijë vota me kusht dhe mbi 2 mijë të personave me aftësi të kufizuara (shih këtu).
Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon edhe të enjten (20 shkurt). Siç ka njoftuar KQZ-ja deri më 19 shkurt janë numëruar rreth 92.73 për qind e vendvotimeve apo 2349 nga 2533 vendvotime. Numërimi po vazhdon në 7 komuna, përfshirë Pejën, Podujevën, Prishtinën, Prizrenin e Ferizajn si qendra më të mëdha (shih këtu).
Të dhënat e KQZ-së që kanë treguar se janë 7 komuna ku nuk ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe janë komuna, që sipas KQZ-së, janë fituar nga Vetëvendosje si parti, nuk e përjashtojnë mundësinë e përmbysjes së pretendimeve.
Publikime të ngjashme ka pasur edhe në disa portale të tjera në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu) e edhe në mediat sociale (shih këtu, këtu dhe këtu).
Votat për kandidatët, sipas uebfaqes së KQZ-së (90.41% të vendvotimeve të procesuara)
KQZ-ja në uebfaqen e saj ka përditësuar të dhënat për partitë nga votimi brenda Kosovës. Nga procedimi i 100 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 342 mijë e 281 vota apo 40.80 për qind. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 184 mijë e 811 vota apo 22.03 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind apo 147 mijë e 888 vota. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët është subjekti tjetër politik që ka kaluar pragun prej pesë për qind. Ky koalicion ka 7.46 për qind të votave apo 62 mijë e 588 vota.
KQZ-ja ka nisur publikimin e rezultateve edhe për kandidatët për deputetë. Nga rezultatet e deritashme në uebfaqen e KQZ-së nga procesimi i 90.41 për qind të vendvotimeve, Kurti ka 259 mijë e 532 vota nga 308 mijë e 514 që janë numëruar për Vetëvendosjen. Në përqindje, i bie që më shumë se 84.1 për qind e votave të numëruara për VV-në, kanë votuar edhe për Kurtin si kandidat. Pra te VV-ja, po që se bëhet krahasimi i votave për partitë dhe atyre për kandidatë, del se duhet të numërohen edhe më shumë se 30 mijë vota.
Te PDK-ja mbështetja për Hamzën te votuesit e kësaj partie, sipas numërimit të deritashëm, është mbi 88 për qind. Hamza ka marrë 150 mijë e 294 vota si kandidat e PDK-ja të numëruara deri tash në votat për kandidatë ka 169 mijë e 889 vota.
Te LDK-ja, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka marrë 109 mijë e 202 vota, ndërsa LDK-ja deri tash ka të numëruara 128 mijë e 778 vota. Në përqindje, mbi 84.7 për qind e atyre që kanë votuar këtë parti, e kanë votuar edhe Abdixhikun si kandidat.
Te koalicioni AAK-Nisma, kandidati Ramush Haradinaj ka marrë 37 mijë e 752 vota, ndërsa partisë i janë numëruar 56 mijë e 650 vota. Në përqindje, del se deri tash Haradinaj ka marrë 66 për qind të votave të atyre që kanë votuar koalicionin.