Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “promakale.com” ka publikuar sot (26 qershor) një artikull me titull “ISH-USHTARAKU ITALIAN: VUÇIQ U PARALAJMËRUA MBRËMË, NËSE SULMON KOSOVËN, AEROPLANËT LUFTARAKË TË NATO-S DO TË REAGOJNË BRENDA PAK ORËSH”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky lajm është i vjetër. Pra, portali i dyshimtë e ka publikuar atë me pretendimin ta paraqesë si aktual.
Vegëza e artikullit të publikuar më 26 qershor nga portali i dyshimtë “promakale.com”:
I njëjti artikull është publikuar sot (26 qershor) edhe në Facebook nga faqja “Post Lajme” (këtu), e cila numëron mbi 16 mijë ndjekës.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në kohë reale (1 gusht 2022) në disa media online në Kosovë. (shih këtu dhe këtu)
Atëkohë, Thomas Theiner, një ish-anëtar i ushtrisë italiane dhe “ekspert për çështje të Luftës së Ftohtë” dhe strategjisë së mbrojtjes së Aleancës, duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës (1 gusht 2022) ishte shprehur se “mendoj se oficerët e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë mbrëmë i kanë shpjeguar presidentit Vuçiq se nëse ai guxon të sulmojë Kosovën, aeroplanët luftarakë të NATO-s do të reagojnë brenda pak orësh”.
Këtë deklaratë Theiner e kishte dhënë përmes llogarisë së tij në Twitter (shih këtu), duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, përkatësisht në kufirin Kosovë-Serbi pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se që nga data 1 gusht 2022, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. (këtu)
Analiza:
Bazuar në verifikimin e fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se portali i dyshimtë “promakale.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2022, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.