Portali i dyshimtë “gazetaprishtina.info” ka publikuar dje (28 nëntor) një artikull me titull “Dhunë shtazarake ndaj një burri nga tre persona në Prishtine (Pamje +18)”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ngjarja nuk ka ndodhur në Prishtinë, por në qytetin e Prizrenit.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “gazetaprishtina.info”:
Përveç në titull, pretendimi se ngjarja ka ndodhur në Prishtinë, vazhdon edhe në përmbajtje të artikullit.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin e dyshimtë “gazetaprishtina.info”:
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtine, në mesnatën mes të hënës dhe të martës kur një person fillimisht është tentuar të futet me dhunë në një makinë e më pastaj është rrahur rëndë nga tre persona.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23, ndërkohë që kishte përreth edhe njerëz të tjerë por pa mundur të ndërhyjnë.
Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet video-materiali që shfaq pamjet kësaj ngjarje të ndodhur në Prizren, e që në të vërehet logoja e televizionit “Kanal10”.
Në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, është gjetur video-materiali i publikuar në faqen zyrtare në Facebook të televizionit Kanal10, me anë të së cilës argumentohet se ngjarja ka ndodhur në Prizren. (shih këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se portali i dyshimtë “gazetaprishtina.info” ka publikuar një artikull të një ngjarje të ndodhur në Prizren, duke pretenduar pasaktë se e njëjta ka ndodhur në Prishtinë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.