Llogaria në TikTok që mban emrin “mrgame.ks” ka publikuar dje (19 nëntor) një video-material në të cilën shfaqet imazhi i një projekti të një stadiumi, në strukturën e të cilit është shqiponja dy krenare.
Në mbishkrimin e vendosur imazhit, pretendohet se është paraqitur stadiumi i cili do të ndërtohet në Prishtinë.
Por pas verifikimit nga ana e hibrid.info, është vërtetuar se fotografia në fjalë është e gjeneruar nga ana e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nuk paraqet projekt të ndonjë stadiumi që pritet të ndërtohet në të ardhmen.
Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “mrgame.ks”:
Pas verifikimt nga ana e hibrid.info është gjetur se imazhi i publikuar nga kjo llogari, është marrë nga një postim i portalit informativ “Telegrafi.com” në Facebook (shih këtu).

Në këtë postim janë publikuar disa imazhe të stadiumeve, struktura e të cilave përmban po ashtu shqiponën dy krenare. Në përshkrimin e postimit, bëhet e qartë që këto imazhe janë gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (AI).
Hibrid.info po ashtu ka gjetur edhe projektet e parapara deri më tani nga institucionet përkatëse të vendit për stadiumet kombëtare. Njëri ishte prezantuar në vitin 2019 (këtu), kurse tjetri parashihet si pjesë e ndryshimeve në infrastrukturën sportive, si shkak i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të mbahen në Prishtinë (shih këtu).
Analiza:
Një llogari në TikTok ka publikuar imazhin e një stadiumi, në strukturën e të cilit është përfshirë shqiponja dy krenare e për të cilin pretendohet se do të ndërtohet në Prishtinë.
Por pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (AI).
Andaj, bazuar në metodologinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.