Llogaria në TikTok me emrin “shqip51” ka publikuar sot (19 tetor) një video-material në të cilën shfaqet momenti i shpalosjes së një pikture me portretin e Adem Jasharit.
Autori i publikimit i ka shtuar edhe mbishkrimin që vlerëson se kjo ekspozitë nuk i ka pëlqyer Edi Ramës, kryeministrit shqiptar dhe Ana Bërnabiqit, kryeministres serbe.
Por që hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur se në video-material është ndërhyrë, duke gjetur se piktura e cila ishte shpalosur, nuk shfaqte portretin e Adem Jasharit.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “shqip51”:
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur se videoja është marrë nga momentet e pritjes së kryeministrit Rama për liderët pjesëmarrës në Samitin e Berlinit që u organizua në Tiranë. (shih këtu nga min 38:15)

Piktura që është shpalosur para pjesëmarrësve në pritjen e kryeministrit Rama, paraqet veprën e quajtur “Rrëmbimi i Evropës”, nga piktori italian, Giovanni Domenico Cerrini (shih këtu), gjë të cilën e shpjegon edhe kryeministri Rama gjatë fjalës së mbajtur.
Po ashtu edhe kjo video e gjetur ne Youtube, tregon që nuk bëhet fjalë për portretin e Adem Jasharit të shfaqur në ekspozenë e kryeministrit Rama, në pritjen e bërë liderëve pjesëmarrës. (shih këtu)
Analiza:
Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material që pretendon portreti i Adem Jasharit është ekspozuar para liderëve pjesëmarrësve, në ditën e hapjes së Samitit të Berlinit, që u organizua në Tiranë.
Por që pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se në video-material është ndërhyrë dhe se piktura e ekspozuar reprezentonte veprën “Rrëmbimi i Evropës”, nga piktori italian, Giovanni Domenico Cerrini.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje, “Mashtrim”.