[email protected]
Premtim i pa realizuar për ndërtimin e 5 shtëpive për kujdesin ndaj të moshuarve
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Pesë shtëpi për kujdesin ndaj të moshuarve ishin premtuar në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në vitin 2021, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Premtimi u dha nga kandidati për kryeministër i këtij subjekti politik, Albin Kurti, madje u përfshi në programin qeverisës, pasi LVV siguroi shumicën për të marrë drejtimin e vendin.

A u realizua premtimi?

Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm (shih këtu).

Çka do të thotë se qeverisja aktuale është afër përfundimit të mandatit.

Në bazë të kërkimeve, hibrid.info ka gjetur se ndërtimi i pesë shtëpive për kujdesin ndaj të moshuarve ende nuk ka filluar gjatë këtij mandati.

Analiza:

Me anë të makinave të kërkimit është hulumtuar dhe verifikuar se ky premtim është hasur në video-materialin e gjetur të publikuar në faqen e kryeministrit Albin Kurti, në Facebook. Nga minuta e 26:52 e përmbajtjes, mund ta shihni e dëgjoni se Kurti përmend premtimin për ndërtimin e pesë shtëpive për  përkujdesje ndaj kësaj kategorie (shih këtu).

Premtimi i transkriptuar i kryeministrit Kurtit nga videoja në fjalë:

“Për më të dashurit tanë, për të moshuarit që presin ndihmën tonë, do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbimet e përkujdesjes për ta.”


Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e përfshiu këtë zotim edhe në programin qeverisës të mandatit 2021-2025, të miratuar në maj të vitit 2021 (shih këtu dhe këtu).

Për të gjetur të dhëna se çka ka ndodhur me këtë premtim, hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqet e Zyrës së Kryeministrit dhe në atë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Pas kërkimit në këto institucione mungojnë informatat rreth fillimit apo ndërmarrjes së ndonjë veprimi në drejtim të realizimit të këtij zotimit (shih këtu dhe këtu).

Ndërsa me anë të makinës së kërkimit, “Google”, janë gjetur disa raportime të mediave në gjuhën shqipe, në formë të artikujve, ku është njoftuar se ky premtim nuk ka filluar të implementohet (shih këtu).

Hibrid.info ka vërejtur se në artikujt informativë të publikuar së fundi për këtë çështje, institucionet përgjegjëse nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth asaj se çka ka ndodhur me zotimin (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).


Përfundimi:

Afër përfundimit të mandatit, premtimi për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit pa përkujdesje, nuk është realizuar.

Megjithëse ishte përfshirë në planin qeverisës të qeverisjes së drejtuar nga LVV, gjetjet tregojnë se nuk është ndërmarrë asnjë hap drejt realizimit të këtij premtimi.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, mos ndërtimin e pesë shtëpive për kujdesin ndaj të moshuarve, hibrid.info e vlerëson si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others

Leave a Reply

Translate »