E përditshmja serbe “Novosti” në ueb faqen e saj “Novosti.rs” sot (8 shtator) ka publikuar një artikull ku pretendohet se CIA amerikane po e përgatit një kaos në Kosovë nëpërmjet mercenarëve çeçenë dhe kriminelëve shqiptarë. Gazeta aludon se kjo po bëhet me qëllim të shtimit të forcave të NATO-së në Kosovë, në mënyrë që të shtypet ndikimi i Rusisë në Ballkan.
Gazeta serbe aludon se ekziston një skenar i përgatitur dhe drejtuar nga CIA, sipas së cilit, mercenarë të kamufluar me uniforma të ushtrisë serbe, do të sulmojnë forcat e Policisë së Kosovës në afërsi të pikave administruese në kufi dhe kështu do të provokojnë reagimin e KFOR-it nga baza “Bondsteel”.
E përditshmja serbe, pretendimin e mbështet, siç thuhet, në informacione jo zyrtare pa u specifikuar apo dhënë detaje se nga janë siguruar këto pretendime.
Artikulli ka zënë vend edhe në ballinën e shtypur të gazetës në ditën e sotme (8 shtator) “Novosti”. (shih këtu)

Vegëza e artikullit të publikuar në “Novosti.rs”:
Pjesë të artikullit të publikuar në “Novosti.rs”:
Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) punësoi grupe ekstremiste dhe kriminale, të cilat në periudhën e ardhshme duhet të shkaktojnë incidente në vijën administrative me të ashtuquajturën Kosovë. Kjo do të ishte një arsye për rritjen e numrit të ushtarëve të NATO-s në provincën tonë jugore dhe qëllimi përfundimtar është të shtypet ndikimi i Rusisë në Ballkan.
Sipas të dhënave operative, departamenti i CIA-s që merret me Ballkanin u mundësoi kriminelëve shqiptarë akses në fonde sekrete financiare dhe me ato para u krijuan rrugë për kontrabandën e armëve nga Rumania dhe Shqipëria drejt provincës jugore serbe.
Gjithashtu, supozohet se CIA, me ndihmën e liderit opozitar të Çeçenisë, rekrutoi një numër mercenarësh çeçenë, të cilët duhet të lidhen me formacionet e armatosura lokale në të ashtuquajturat Kosova. Dyshohet se plani është që ato forca, të maskuara si ushtarë të ushtrisë serbe, të sulmojnë njësitë e të ashtuquajturit. të Policisë së Kosovës në afërsi të vijave administrative dhe kështu të provokojnë reagimin e KFOR-it nga baza “Bondsteel”.
Pretendimet e të përditshmes serbe “Novosti” janë të pabaza për shkak se nuk ofrojnë ndonjë burim konkret dhe nuk japin detaje se nga i kanë siguruar informacionet e paraqitura në artikull.
Pretendimet e rekrutimit të çeçenëve për destabilizim të situatës në veri të Kosovës, kemi pasur edhe nga vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, edhe pse një gjë e tillë është demantuar nga vet të apostrofuarit në këto pretendime. (shih këtu, këtu)
Po ashtu, aludimin se amerikanët janë regjisorët e këtij skenari supozojmë të rrjedhin nga deklaratat e ambasadorit rus në Beograd, e të cituara në dokumentarin e përgatitur nga televizioni i kontrolluar nga Kremlini, Russia Today (RT), ku potencohet se amerikanët janë aktorët kryesor që po e pengojnë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. (shih këtu)
Analiza:
E përditshmja serbe “Novosti” sot ka publikuar një artikull nëpërmjet të cilit pretendon se CIA amerikane po përgatit një kaos në Kosovë nëpërmjet mercenarëve çeçenë dhe kriminelëve shqiptarë. Pretendimet gazeta i mbështet në burime jo zyrtare, pa dhënë detaje konkrete rreth tyre.
Pretendime për rekrutimin e çeçenëve në veri të Kosovës janë publikuar edhe më herët nga mediat e afërta me pushtetin në Serbi, e që burim kanë pasur vet presidentin serb Vuçiq, pretendime këto që u demantuan nga vet të apostrofuarit.
Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës, pretendimet e hedhura nga gazeta serbe i klasifikon si “teori konspirative”.
Vlerësimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.