Është publikuar një artikull ku pretendohet për vrasjen e personit që identifikohet si Alma K, e përfshirë në një video me Safet Gjicin, ish-kryetarin e Bashkisë së Kukësit, pas së cilës ky i fundit dha dorëheqje.
Në artikullin e publikuar nga portalet e dyshimta “pershendetje24.info” dhe “kingpress24hd.info” pretendohet për vrasjen e Almës nga bashkëshorti i saj. Në titull paralajmërohet shfaqja e identitetit të bashkëshortit të vajzës në fjalë madje edhe raportohet edhe për video.
Megjithatë hibrid.info pas verifikimit ka vërtetuar se nuk ka informata që konfirmojnë vrasjen e Alma K. si dhe imazhi i personit të pretenduar si bashkëshorti i saj, në fakt paraqet Fatos Cerenishtin, president i një kompanie hoteliere në Shqipëri.
Vegëzat e artikullit të publikuar në “pershendetje24.info” dhe “kingpress24hd.info”
Artikull i publikuar është shpërndarë edhe në median sociale në Facebook nga faqet “Lajmet Fresh24” dhe “Zone e arte”. (shih këtu dhe këtu)
Pasi ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë informata nga burimet zyrtare, apo të tjera kredibile që konfirmojnë vrasjen e Alma K.
Nëse provoni të kërkoni në makinën kërkuese “Google” në lidhje me vrasjen e personit në fjalë nuk do të shfaqen artikuj që provojnë lajmin.
Hibrid.info po ashtu ka gjetur se imazhi i personit që pretendohet në artikull se është bashkëshorti i Alma K, i përket Fatos Cerenishtin, president i Fafa Hotels, në shoqërinë e të cilit shfaqet në një fotografi Alma K.
Nga hulumtimi i realizuar nuk rezultojnë prova që konfirmojnë apo e përcaktojnë marrëdhënien ndërmjet Cerenishtit dhe Almës.
Hibrid.info ka gjetur edhe artikull të publikuar nga “voxnews.al” dhe “gazetaexpress.com” ku konfirmohet identiteti i personit të paraqitur në imazh. (shih këtu dhe këtu).
Ndërsa video e paralajmëruar në titull në të dy rastet në artikull, nuk paraqitet.
Analiza
Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje tregohet për identitetin e personit që vrau Alma K, që në artikull paraqitet si bashkëshorti i vajzës në fjalë.
Në përmbajtje nuk jepen të dhëna nga burimet zyrtare që konfirmojnë vrasjen e Alma K, si dhe nisur nga hulumtimi i hibrid.info është vërtetuar se imazhi i paraqitur i përket Fatos Cerenishtit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.