Faqja në Facebook që mban emrin “Bota në fokus”, përmes një postimi të publikuar me datë 26 nëntor, ka pretenduar se është vrarë me thikë në burg ish-polici i dënuar për vrasjen e George Floyd.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi është i pasaktë.
I burgosuri Derek Chauvin, që është dënuar për vrasjen e George Floyd, u sulmua të premten (24 nëntor) në Institucionin Federal Korrektues Tucson, megjithatë ai është në gjendje stabile shëndetësore. (shih këtu)
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Bota në fokus”:

Mbishkrimi i postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Bota në fokus”:
Vritet në burgun amerikan vrasësi i George Floyd-it
Oficeri i policisë Derek Chauvin u sulmua me thikë në një burg amerikan dhe policia amerikane konfirmoi vdekjen e tij.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar dje (28 nëntor) në mediumin amerikan CNN, që sqaron se Chauvin i ka mbijetuar plagëve nga therrja me thikë dhe se gjendja e tij është e qëndrueshme. (shih këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga faqja e lartcekur në Facebook, është i rremë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.