Llogaria në TikTok që mban emrin “mulitini” ka publikuar një video-material (5 dhjetor), me mbishkrimin ku pretendohet se një kryeministër ka dorëzuar një dokument në Bruksel për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Po ashtu edhe fillimi i audios së bashkangjitur video-materialit nis me fjalinë “Urime shqiptarë! Kryeministri i vendit të BE-së dorëzon dokumentin në Bruksel për bashkimin e Kosovës me Shqiperinë”.
Pas verifikimit të mëtutjeshëm të përmbajtjes së audios, hibrid.info ka kuptuar se bëhet fjalë për lajm të pakonfirmuar për një dokument non – paper të kryeministrit slloven, ku propozohet ndryshimi i kufijve në Ballkan. Po ashtu është gjetur se lajmi është i vjetër.
Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “mulitini” në TikTok:
https://www.tiktok.com/@mulitini/video/7309170080640716065
Pas hulumtimit me anë të makinës së kërkimit “Google”, i njëjti video-material është gjetur publikuar në Youtube (30 prill, 2022), në një kanal që mban emrin “Paparazzi” (shih këtu).
Hibrid.info ka vërtetuar dhe ka gjetur artikullin e prillit të vitit 2021, ku tregohet se sipas mediave sllovene dhe atyre në Bosnjë-Hercegovinë, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, pak muaj para se ta marrë kryesimin e BE-së, ia ka dërguar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për ndryshim kufijsh (shih këtu).
Sipas raportimeve, ky dokument e përmban shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, për ndarjen e Kosovës sipas planit Thaçi-Vuçiq dhe për shumë gjëra të tjera.
Por, po ashtu hibrid.info ka arritur të gjejë edhe artikuj me reagime nga BE dhe Sllovenia, të cilat e kishin mohuar ekzistencën e një dokumenti të tillë (shih këtu dhe këtu).
Një gjë tjetër që e bën pretendimin jo relevant, është edhe fakti që protagonisti i video-materialit, Janez Jansha, nuk e mban pozitën e kryeministrit të Sllovenisë, që nga viti 2022 (shih këtu).
Analiza:
Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material ku pretendohet se kryeministri slloven ka dorëzuar një dokument në BE, në të cilin kërkohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se në mbishkrimin e video-materialit, nuk është theksuar fakti se lajmi është raportim i pakonfirmuar nga mediat sllovene si dhe po ashtu lajmi i publikuar është i vjetër.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.