info@hibrid.info
Publikohet përsëri mashtrim “për ndihmë humanitare” lidhur me medikamentin për prostatë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh që pretendon se është marrë vendimi që të jepen praktikisht pa pagesë, kapsula kundër prostatës.

Kjo përmbajtje është publikuar si e sponsorizuar (6 shkurt) në formë të një imazhi të klikueshëm në Facebook, nga një faqe me emrin “WellCare Hub”.

Çka nuk shkon me postimin?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetër e nga një vend i huaj; klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë; si dhe se medikamenti në fjalë “Prostafix” nuk është në listën e produkteve me autorizim për marketing në Republikën e Kosovës.

Përmes programit të automatizuar të kërkimit, “InVID”, është verifikuar se fotografia e këtij postimi është marrë nga një takim i Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, Shkencor dhe Teknik ndërmjet Federatës Ruse dhe Republikës Sllovake, i mbajtur në Bratislavë, në vitin 2021.

Pas klikimit të fotografisë, hapet një faqe si imitim i ueb-faqes së Televizionit Shqiptar. Faqja përmban një fotografi nga Kuvendi i Kosovës.

Brenda artikullit po ashtu shfaqet edhe fotografia e një mjeku, që është gjetur se i përket urologut Hugo Davila nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit në Florida.

Ueb-faqja në fjalë, promovon ilaçin “Prostafix”, për të cilin pretendohet se mund të blihet në lirim, nga 90 euro në 5 euro, deri me datën 10 shkurt.

Shih fotografinë:


Në fund të kësaj përmbajtjeje promovuese të publikuar në ueb-faqen e dyshimtë gjendet edhe një pjesë e komenteve, të cilët e kanë lavdëruar këtë produkt apo kanë shtruar pyetje për të. Megjithatë asnjëri nga këto profile nuk është e mundur që të klikohet në mënyrë që të vërtetohet se të njëjtit janë persona realë.

Shih fotografinë:


Po që se shkohet në fund të faqes, figuron me adresë në Moskë të Rusisë. Gjuha ruse përdoret në përshkrimin për “Politikat e privatësisë” dhe “Kushtet e përdorimit”.

Edhe më të dyshimtë e këtë postim e bën edhe vlerësimi i domainit të kësaj ueb-faqe nga platforma e besueshmërisë së faqeve, “Scam-detector.com”, ku tregohet se ueb-faqja e kontrolluar ka besueshmëri të ulët (shih këtu).

Hibrid.info ka kontrolluar edhe informatat për faqen që ka publikuar këtë postim, e cila nuk ka asnjë ndjekës apo pëlqim në Facebook. Të dhënat brenda në këtë faqe tregojnë një vegëz të ueb-faqes së një spitali, e cila përfshin adresën dhe një numër telefoni me kod nga Spanja.

Hibrid.info gjithashtu ka hulumtuar listën e produkteve me autorizim për marketing në Kosovë, të ofruar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM). Lista e fundit mban datën e 10  janar 2025. Në këtë listë mungon emri i produktit të reklamuar në përmbajtjen e trajtuar (shih këtu)


Analiza:

Përmbajtja që pretendon se ofron ilaç për trajtimin e prostatës pothuajse falas, është mashtrim.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se përmbajtja përdor fotografi të vjetër dhe që s’ka të bëjë me ilaçin që e reklamon faqja. Po ashtu për ta reklamuar këtë medikament përdoret një uebfaqe e dyshimtë e në të cilën ka edhe të dhëna në gjuhën ruse e fotografi që nuk lidhen me përmbajtjen. Po ashtu medikamenti i reklamuar nuk vjen falas siç edhe proklamohet. Medikamenti i trajtuar del se nuk është as pjesë e listës së ilaçeve me autorizim-marketingu në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »