info@hibrid.info
Rishikim i javës: Lajme të rreme, manipulim i fakteve dhe dezinformata në media sociale lidhur me zgjedhje dhe sondazhe zgjedhore
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës së kaluar, lajmet e rreme kanë qenë në qendër të vëmendjes, duke dominuar si forma kryesore e keqinformatave të shpërndara në media, portale të dyshimta dhe llogari në media sociale.

Gjatë javës së kaluar, në mediat sociale, veçanërisht TikTok, dhe disa faqe në Facebook, janë përhapur lajme të rreme me tema të ndryshme që përfshijnë figura politike dhe ngjarje të rëndësishme në Kosovë. Pretendimet përfshijnë një deklaratë të rreme të një gjenerali imagjinar amerikan që lavdëronte kryeministrin Albin Kurti, shpifje për vdekjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa, sondazhe të fabrikuara mbi përkrahjen politike në Kosovë, si dhe lajme të sajuara për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi. Gjithashtu, është shpërndarë një imazh që pretendonte lidhje të ngushta midis Kurtit dhe presidentit amerikan Joe Biden, si dhe një deklaratë e rreme që e lidhnin Albin Kurtin me UDB-në. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, të gjitha këto pretendime rezultuan të pavërteta dhe të pabazuara në burime kredibile.

Artikujt clickbait janë publikuar kryesisht në portale të dyshimta dhe në ato informative, si dhe janë shpërndarë në faqet përkatëse në rrjetet sociale, duke përdorur tituj sensacionalë dhe mashtrues për të tërhequr lexuesit. Karakteristikë kryesore e këtyre artikujve është se pas klikimit, përmbajtja nuk përputhet me pretendimet e titullit, duke ofruar informacion të përgjithshëm ose të pavërtetë. Temat që trajtohen përfshijnë raste tragjike, ndeshje sportive të keqinterpretuara dhe deklarata të manipuluara të politikanëve apo figurave publike, shpesh duke përdorur fotografi dhe përshkrime që krijojnë perceptime të gabuara për ngjarjet.

Mashtrim/dezinformatë u vlerësua një postim në media sociale, ku u pretendua gabimisht se Ramush Haradinaj kishte propozuar një model rotacioni për udhëheqjen e Qeverisë, duke përfshirë Listën Serbe, gjë që pas verifikimit rezultoi e pavërtetë. Haradinaj kishte theksuar rotacionin mes partive opozitare, pa përmendur Listën Serbe.

Manipulimi i fakteve dhe dezinformatat janë të pranishme në disa raste të fundit në mediat sociale. Një imazh i publikuar në TikTok më 16 nëntor, tregon përqindje dhe numër votash për Bedri Hamzën dhe Albin Kurtin, pa dhënë burimin. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u gjet se këto të dhëna i përkisnin një sondazhi të vitit 2021 të realizuar nga Radio Televizioni Dukagjini, që trajtonte një pyetje të lidhur me zgjedhjet e atëhershme. Një tjetër rast përfshinte një video të shpërndarë, që pretendonte se kryeministri Edi Rama kishte urdhëruar mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri. Ky pretendim buronte nga një deklaratë e kryeministrit, ku ai kishte përmendur shqyrtimin e masave për të luftuar dhunën dhe bullizmin në mediat sociale, përfshirë edhe mbylljen e disa platformave, por pa ndërmarrë veprime konkrete.

Gabimisht u raportua për “Javën e të mësuarit gjatë gjithë jetës”, i publikuar më 13 nëntor nga një portal informativ, ku u përdor një fotografi nga një aktivitet parlamentar në Shqipëri që nuk lidhet me përmbajtjen.

Përmbajtje e pa verifikuar u vlerësua një video e publikuar më 14 nëntor në Facebook dhe Instagram, që pretendon të paraqesë disa të rinj nga Vlora duke valëvitur flamurin shqiptar në Beograd, por pas verifikimit rezulton se video nuk është realizuar në kryeqytetin serb.

Dezinformatë u vlerësua një video e publikuar më 20 nëntor në TikTok pretendon se kryeministri Albin Kurti është gjuajtur me vezë nga një qytetar, duke përdorur fjalët “Qeveria Kurti”. Megjithatë, pas verifikimit, u vërtetua se ngjarja ka ndodhur më 23 shkurt 2018, kur Albin Kurti ishte në opozitë dhe kryeministër ishte Ramush Haradinaj, e jo gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Mashtrim/Dezinformatë

Përmes një postimi, u pretendua se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar që udhëheqja e Qeverisë të bëhet me rotacion, një vit AAK, një LDK, një PDK dhe një tjetër Lista Serbe. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë dhe se Haradinaj nuk e ka dhënë këtë propozim. Kryetari i AAK-së, në një intervistë dhënë për RTV21, ka thënë se kërkon udhëheqjen e Qeverisë, qoftë edhe me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Pra, ai asnjëherë nuk ka përmendur Listën Serbe. (këtu)

Manipulim i fakteve

Është publikuar një imazh që tregon përqindje dhe numër votash për dy kandidatë për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamzën dhe Albin Kurtin. Mungon përshkrimi se prej nga ka ardhur ky rezultat, por dihet se kjo fotografi është publikuar (16 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “mentor.g.me”. Hibrid.info ka gjetur se kjo përqindje është marrë nga një sondazh televiziv, i realizuar më 12 shkurt, 2021, nga Radio Televizioni Dukagjini, me pyetjen drejtuar audiencës se a besojnë se Albin Kurti do të mund të bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Është publikuar një video-material me mbishkrimin që pretendon se në Shqipëri është mbyllur TikTok-u, me urdhër të kryeministrit, Edi Rama. Kjo përmbajtje është publikuar dje (20 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “blero_show”. Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim është paraqitur me anë të një deklarate të shkëputur nga konferenca e kryeministrit shqiptar, ku ai ka përmendur masat që po shqyrtohen për të ndaluar dhunën e bullizimin në rrjete sociale, ku njëra nga to është edhe mbyllja platformave TikTok dhe Snapchat. (këtu)

Lajm i rremë

Është pretenduar se një gjeneral amerikan ka folur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e se kinse e ka lavdëruar duke thënë se Kosovës i duhen njerëz si ai për t’i bërë ballë ndikimit rus në Ballkan. “Gjenerali Amerikan Eric Friedman: Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bejnë ballë ndikimit Rus në Ballkan.” shkruan në postimin e publikuar në TikTok nga llogaria “rejas04”. Në publikimin në TikTok është fotografia e një ushtaraku dhe e kryeministrit Albin Kurti. Pas verifikimit të fakteve, del se ky pretendim është tërësisht i rremë. Fillimisht nuk ka deklaratë të tillë të dhënë nga ndonjë gjeneral amerikan. Nuk ka gjeneral amerikan me emrin Eric Friedman. Po ashtu, fotografia e përdorur në pretendim është e dikujt tjetër. (këtu)

Në median sociale TikTok po qarkullon një përmbajtje me pretendimin se ka vdekur ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Përmbajtjet me këtë pretendim u publikuan (18 nëntor) nga dy llogari në TikTok “lot.dhe.vuajtje1” dhe “milaimzeka.exe.69”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile me pretendimin se ka ndërruar jetë ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. (këtu)

Publikohet një imazh që paraqet një sondazh në lidhje më përkrahjen qytetare të subjekteve politike në Kosovë, për të cilin pretendohet se është realizuar nga kompania amerikane SDGs Global Survey. Përmbajtja që rendit partitë politike si vijon: PDK: 28.2%, VV:27.01%, LDK:24.5%, AAK:13.9 dhe subjektet tjera me 6.39% është publikuar dje (18 nëntor) nga një faqe në Facebook me emrin ”Universal”. Hulumtimi i hibrid.info nuk ka gjetur se një sondazh i tillë nuk është publikuar nga burime kredibile dhe nga kompania, së cilës i referohen në pretendim. (këtu)

Faqja në Tik Tok, “faktehistorikeShqip”, ka publikuar një foto të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier. Përmes këtij postimi pretendohet se mediumi amerikan “Washington Post” ka botuar një artikull sipas të cilit ka raportuar se kryeministri Kurti është në koordinim të plotë me presidentin amerikan, Joe Biden. Kjo faqe tutje thotë se ekziston një raport i brendshëm amerikan, sipas të cilit “Kurti do t’i fitojë 70% të votave në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’ia bashkojë Kosovën me Shqipërinë”. Nga kërkimet e ‘Hibrid’, nuk ekziston asnjë raport i Washington Post që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka koordinim me presidentin amerikan Joe Biden. (këtu)

Faqja në median sociale TikTok, “faktehistorikeShqip”, më 11 gusht, ka publikuar një fotografi të gazetarit Halil Matoshi, dhe në mbishkrim të imazhit thuhet “Halil Matoshi: Albin Kurti është njeri i UDB-së”. Më pas kjo faqe pyet ndjekësit se çfarë mendojnë për këtë “deklaratë” të Matoshit. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Matoshi asnjëherë nuk ka pretenduar qoftë në paraqitjet televizive, artikujt në media apo postimet në Facebook se Kurti është agjent i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav (UDBA). (këtu)

“Zyrtare: Sami Lushtaku do te zyrtarizohet si kandidat per President te Kosoves, nese fiton PDK”, është pretendimi i publikuar në TikTok më 20 nëntor nga llogaria “faktehistorikeshqip”. Ky pretendim është vendosur si mbishkrim në një fotografi në të cilën shihen kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, dhe anëtarii i Këshillit Drejtues të PDK-së, Sami Lushtaku, nga tubimi i partisë në Skenderaj, më 15 nëntor. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka përmendur emrin e Lushtakut si opsion për kandidat për president të Kosovës. Një pretendim i tillë nuk mund të gjendet as në ndonjë artikull të ndonjë mediumi kredibil. (këtu)

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata Speciale në Hagë. Publikimi u bë nga llogaria “kadriveseliofficial_” më 22 nëntor. “HASHIM THAQI SHPALLET I PAFAJSHEM. Presidenti Thaqi sonte ne oret e vona ka marrur lajmin se eshte liruar me kusht nga Gjykata Speicale e Hagës”, thuhet në përshkrim të një fotografie të Thaçit. Pas verifikimit të fakteve del se Gjykata Speciale nuk ka marrë vendim për lirim me kusht të ish-presidentit Thaçi, i cili bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë në paraburgim në Hagë, nën akuzën për krime lufte. (këtu)

Clickbait

Përmes titullit është pretenduar se vëllai i Liridona Ademaj, ka deklaruar më 16 nëntor të këtij viti se fëmijët e saj e kishin parë vrasjen e Ademajt. Por, pas klikimit në artikull nuk ka as edhe një informacion përveç se thuhet “më 29 nëntor bëhet një vit nga tragjedia që tronditi të gjithë Kosovën, vrasja e Lirdona Ademajt, 30 vjeçares nga Gjakova”. “Deklarata tronditëse e vëllait të Liridona Ademajt: Fëmijët panë gjithçka!”, mban titullin ky artikull i publikuar nga portali i dyshimtë “bilgininadresi.net”. Deklarata e vëllait të Liridona Ademaj, dhënë për mediumin “Telegrafi” më 16 nëntor ishte, “fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa me lehtë”. (këtu)

Më 23 nëntor zhvillohet një duel i ri Kosovë-Rumani: “Rasti ynë për të shkruar historinë”. Ky është titulli i një postimi të publikuar në portalin informativ “Paparaci.com”. Artikulli është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të këtij mediumi në Facebook dhe shoqërohet me një fotografi të kombëtares së Kosovës gjatë ndeshjes me Rumaninë më 15 nëntor 2024. Ndërsa pasi të klikohet në artikull, shfaqet një fotografi tjetër që paraqet disa tifozë. Pas klikimit në artikull, qartësohet se nuk bëhet fjalë për një ndeshje tjetër futbolli mes Kosovës dhe Rumanisë, siç mund të lërë të kuptohet titulli dhe fotografia, por për një ndeshje hendbolli për meshkuj në kuadër të Kupës Evropiane të EHF. Ndeshja në fjalë zhvillohet mes KH Rahoveci dhe ekipit rumun Minaur Baia Mare. (këtu)

Publikohet një imazh në Facebook me mbishkrimin “Peci i lë të gjithë gojëhapur: Qeveria Kurti nuk e meriton një mandat të dytë”. Fotografia që paraqet figurat e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës dhe ministrave në kabinetin e tij qeveritar, Hekuran Muratit, ministrin e Financave dhe Faton Pecit, ministrit të Bujqësisë, është publikuar (20 nëntor) nga faqja e mediumit “kosova-sot.info” në Facebook. Për informata shtesë, kjo faqe në Facebook, imazhit i ka bashkangjitur edhe vegëzën e artikullit të publikuar në portalin e mediumit, “kosova-sot.info”. Pas kontrollit të këtij artikulli, është kuptuar se bëhet fjalë për një deklarim publik nga Lulzim Peci, drejtori i Institutit KIPRED. (këtu)

Gabim

Është publikuar një artikull rreth shënimit të `Javës së të mësuarit gjatë gjithë jetës`. Por në këtë rast fotografia nuk i përgjigjet përmbajtjes dhe nuk i korrespodon ngjarjes së ndonjë aktiviteti arsimor në Kosovë. Fotografia që ilustron tekstin është një foto që është marrë në internet dhe është foto që ilustron një aktivitet parlamentar në Shqipëri. Artikulli është publikuar me datë 13 nëntor nga portali informativ “gazetaexpress.com”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një video-material që shfaq disa të rinj nga Vlora duke valëvitur flamurin shqiptar është publikuar në Instagram dhe Facebook. Video u publikua më 14 nëntor nga faqja “JOQ Albania” në Facebook dhe Instagram. Përmes përshkrimit, pretendohet se kjo ndodhi në Beograd, duke e paraqitur si një akt të guximshëm dhe simbolik në zemër të kryeqytetit serb. Por, pas këtyre pamjeve, qëndron një e vërtetë krejt ndryshe. Pas verifikimit të imazheve përmes mjeteve verifikuese, del se kjo video nuk është bërë në Beograd. (këtu)

Dezinformatë

“Qeveria Kurti po vjedh shume, qytetari e gjuan me veze Kurtin” mban mbishkrimin një video e publikuar në TikTok nga llogaria “newsilir” më 20 nëntor. Në pamje shihet Albin Kurti teksa gjuhet me vezë nga një qytetar. Për shkak të fjalëve “Qeveria Kurti”, përshkrimi lë të kuptohet se sulmi ndaj Kurtit ka ndodhur në kohën sa ai është kryeministër. Megjithatë, nga kërkimet e hibrid.info, rezulton që kjo ngjarje ka ndodhur më 23 shkurt të vitit 2018, gjatë kohës sa Albin Kurti ishte në opozitë, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017). Kryeministër atë kohë ishte Ramush Haradinaj. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »