info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Keqinformata lidhur me zgjedhjet, deklarata të pavërteta e konspirative nga zyrtarët rus
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës së kaluar lajmet e rreme që janë përhapur përmes mediave, portaleve të pasigurta dhe llogarive në rrjetet sociale, kanë qenë në krye të keqinformatave të trajtuara nga hibrid.info.

Një sërë lajmesh të rreme janë shpërndarë përmes TikTok dhe Facebook, kryesisht në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Në TikTok dhe Facebook janë publikuar imazhe që pretendojnë të tregojnë rezultate të sondazheve mbi mbështetjen elektorale të partive politike, por asnjë prej tyre nuk është konfirmuar nga burime kredibile. Po ashtu, është përhapur pretendimi i rremë se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti dhe e ka ftuar atë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe se ai ka shkarkuar Richard Grenellin nga posti i emisarit për misione të posaçme. Këto përmbajtje të pabazuara, të cilat janë verifikuar si të pavërteta nga hibrid.info, tregojnë për një rritje të keqinformimit në prag të zgjedhjeve.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë u vlerësua, një postim në Facebook nga llogaria “Halil Geci” duke pretenduar se një gjeneral amerikan, Eric Friedman, ka lavdëruar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij ndaj ndikimit rus në Ballkan. Pas verifikimit të fakteve, është konfirmuar se një deklaratë e tillë nuk ekziston, nuk ka gjeneral amerikan me këtë emër dhe fotografia e përdorur i përket ish-ushtarakut John Abizaid.

Dezinformatat janë publikuar kryesisht në TikTok, ku dy video-materiale kanë qarkulluar me pretendime të pasakta ose të vjetra. Njëra prej tyre, e publikuar nga llogaria “newsilir”, pretendonte se Richard Grenell ka shpërndarë një fotografi të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Instagram, një informacion që rezultoi i vërtetë, por jo aktual. Ndërsa një tjetër video, e publikuar nga llogaria “toro…06”, shfaqte presidenten Vjosa Osmani duke bërë thirrje për votim, por videoja ishte e realizuar para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe u ripostua jashtë kontekstit, duke krijuar keqkuptime mbi aktualitetin e saj.

Teoritë konspirative janë publikuar kryesisht në mediumin serb “informer.rs” dhe në deklaratat e Listës Serbe, si dhe në komentet e ambasadorit rus në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko. Këto teori përfshijnë pretendimin se investimi i Qeverisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës ka për qëllim dëbimin e serbëve, akuzat e pabazuara të Listës Serbe se grupet e lidhura me Albin Kurtin dhe Nenad Rashiqin kanë dëmtuar veturën e një kandidati të tyre, dhe spekulimet e ambasadorit rus se situata para zgjedhjeve në Kosovë është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës, pa ofruar ndonjë provë konkrete.

Mashtrimet janë publikuar në TikTok nga llogaritë “iwu.agency” dhe “atdheu14”, duke përdorur përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). Një prej videove paraqiste presidentin amerikan Donald Trump duke dhënë vlerësime pozitive për kryeministrin Albin Kurti, ndërsa një tjetër pretendonte se Elon Musk, si drejtues i një departamenti qeveritar në SHBA, do të mbështeste kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamzën. Të dyja pretendimet janë të rreme dhe të manipuluara me qëllim mashtrimi.

Clickbait-i është përdorur nga portali në gjuhën shqipe “ntv.al”, i cili ka publikuar artikuj me tituj që krijojnë përshtypje të rreme. Një artikull me titullin “MESAZHI I PRERË/ Ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda” shoqërohej me fotografinë e Richard Grenellit, por në përmbajtje rezulton të jetë vetëm një opinion i Baton Haxhiut. Një tjetër artikull, me titullin “Bondsteel, amerikanët kanë menduar të largohen nga Kosova për një kohë të gjatë”, sugjeron se largimi i ushtrisë amerikane është një fakt i vendosur, por në tekstin e tij zbulohet se ky pretendim bazohet vetëm në opinionin e një analisti ushtarak serb. Të dyja rastet janë shembuj të titujve mashtrues që synojnë të tërheqin lexuesit përmes informacionit të shtrembëruar.

Deklarata e pavërtetë është bërë nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë një takimi me krerët e misioneve diplomatike në Moskë. Ai pretendoi se Perëndimi përdor standarde të dyfishta duke njohur të drejtën e vetëvendosjes për Kosovën, por duke e mohuar atë për Krimenë dhe Donbasin. Krahasimi i tij është i pabazuar, pasi Kosova shpalli pavarësinë pas një procesi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht, ndërsa Krimea u aneksua me forcë nga Rusia dhe Donbasi u pushtua nga forcat ruse dhe grupe separatiste, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Llogaria “Halil Geci” në Facebook ka publikuar një përmbajtje në të cilën shihet një fotografi e mbi të cilën është një shkrim “Gjenerali Amerikan Eric Friedman: Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bejnë ballë ndikimit Rus në Ballkan”. Bazuar mbi këtë fotografi, llogaria ka bërë një shkrim duke konfirmuar se e merr si të mirëqenë pretendimin. Por pas verifikimit të fakteve del se nuk ka deklaratë të tillë të thënë nga ndonjë gjeneral amerikan, se nuk ka gjeneral amerikan me emrin Eric Friedman e se personi në foto paraqet një ish-ushtarak me emrin John Abizaid. Kjo nuk është hera e parë që hibrid.info e trajton pretendimin e njëjtë. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një video-material me pretendimin se Richard Grenell, i dërguar special i presidentit Donald Trump, ka publikuar në instagram një fotografi të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ish-krerëve institucional të vendit. Ky pretendim është publikuar dje (2 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “newsilir”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi është i saktë, por lajmi për publikim e kësaj fotografie nga Grenell, nuk është aktual. (këtu)

Publikohet një video-material ku shfaqet Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, duke u bërë thirrje të rinjve në Kosovë që të dalin të votojnë për ndryshim. Në sfond të pamjes duket logoja e partisë Guxo, të cilës Osmani i printe para se të emërohej në postin e Presidentes, parti e cila garon në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Kjo përmbajtje është publikuar (2 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “toro…06”. Video-materiali që shfaq Osmanin duke u bërë thirrje të rinjve të dalin në votim është autentik, por i njëjti është realizuar para katër vitesh (para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021), kur ajo ishte kandidate për deputete në radhët e Listës Guxo, që në atë kohë garonte në zgjedhje si pjesë e listës së LVV-së. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi në gjuhën serbe “informer.rs” ka pretenduar se premtimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit për investime 1 miliard euro në Ushtrinë e Kosovës bëhet me qëllim për gjakderdhje dhe dëbim të serbëve nga Kosova. Artikulli i publikuar nuk mbështetet në fakte. Kurti ka thënë se Kosova dëshiron të mbrohet dhe nuk investon për të sulmuar të tjerë. (këtu)

Lista Serbe ka njoftuar se mbrëmjen e 1 shkurtit i janë shqyer gomat veturës private të Millan Kostiqit, duke pretenduar pa ofruar prova se pas këtij akti qëndrojnë grupet e lidhura me Albin Kurtin dhe Nenad Rashiqin, për shkak të, siç thonë ata, humbjes së shpresës për fitore në zgjedhje. Sipas Policisë së Kosovës, dëmtimi i veturës është kryer nga persona të panjohur dhe rasti është nën hetime, duke mos ofruar asnjë provë që e lidh incidentin me motive politike apo grupe të caktuara, siç pretendon Lista Serbe. (këtu)

Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, ka deklaruar se situata në Kosovë para zgjedhjeve është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës, duke i lidhur këto deklarata me manipulime ndaj partisë Lista Serbe. Ai ka ngritur këto pretendime mbi spekulime konspirative, pa ofruar fakte konkrete, dhe ka përforcuar narrativat e mediave ruso-serbe dhe zyrtarëve serbë në lidhje me fushatën zgjedhore në Kosovë. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një video-material ku shfaqet Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke dhënë vlerësime pozitive për Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës. Kjo përmbajtje është publikuar dje (3 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “iwu.agency”.Videoja në fjalë është përmbajtje e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)

Publikohet një video-material me mbishkrimin që pretendon se Elon Musk, drejtues i Departamentit të Efiçiencës së Qeverisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të dalë në mbështetje të Bedri Hamzës, kandidatit për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Videoja që shfaq pamje të një moderatoreje në një studio të lajmeve duke e komunikuar një lajm, është publikuar në TikTok (4 shkurt) nga një llogari me emrin “atdheu14”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi është i rremë dhe se videoja ka përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)

Deklaratë e pavërtetë

Gjatë një takimi me krerët e misioneve diplomatike në Moskë, Lavrov pretendoi se Perëndimi përdor standarde të dyfishta, duke zbatuar parimin e vetëvendosjes për Kosovën, por duke e mohuar atë për Krimenë dhe Donbasin, ku, sipas tij, popullsia lokale ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me Rusinë. Faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë dhe Donbasin është i pabazë, pasi Kosova shpalli pavarësinë nën administratën ndërkombëtare, ndërsa Krimea u aneksua me forcë nga Rusia dhe Donbasi u pushtua nga forcat ruse dhe grupe separatiste të mbështetura nga Rusia, duke shkelur traktatet ndërkombëtare dhe pa mbështetje të gjerë ligjore. (këtu)

Lajm i rremë

Pretendimi për publikimin e një sondazhi lidhur me subjektet politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, është i rremë. Hibrid.info ka hulumtuar në platformën, të cilës i është referuar publikuesi, por ky sondazh nuk është gjetur. (këtu)

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar se presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e se i ka uruar mirëseardhje në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu është pretenduar se Trumpi e ka shkarkuar Richard Grenellin e sapoemëruar si emisar për misione të posaçme. Pretendimi në TikTok se presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar për bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk është i vërtetë. Nuk është i vërtetë as pretendimi se Trump ka shkarkuar Grenellin, që ka marrë detyrën e emisarit për misione të posaçme. (këtu)

Është publikuar një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, ku tregohet mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Përmbajtja është publikuar më 1 shkurt, në TikTok nga një llogari me emrin “a.h19977”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile. (këtu)

Publikohet një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, ku tregohet mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Kjo përmbajtje është publikuar dje (6 shkurt), në Facebook nga një faqe me emrin “Shadervani”, me pretendimin se paraqet trendin aktual para zgjedhjeve, (CET – Current Election Trend). Hibrid.info ka gjetur se nuk ekzistojnë të dhëna që konfirmojnë se ky sondazh është kredibil. Rezultatet e paraqitura në këtë sondazh të pretenduar janë: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) –28%, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 26%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 24%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – Nisma Socialdemokrate 9%. (këtu)

Në një postim në Facebook është pretenduar se në një sondazh të kryer nga “SDGS Global”, subjekti Koalicioni për Familjen ka marrë 5.2 për qind. Publikimi i bërë nga “RTV Besa” në Facebook nuk është i bazuar në burime kredibile. Pas verifikimit të hibrid.info del se një sondazh i tillë nuk është publikuar në asnjë burim kredibil e se emri i “SDGS Global” është përdorur në disa raste për keqinformim. (këtu)

Clickbait

Portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “MESAZHI I PRERE/ Ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda”, të shoqëruar me fotografinë e Richard Grenellit, emisar amerikan për misione të posaçme. Për dallim nga titulli dhe fotoja, teksti brenda sqaron se bëhet fjalë për opinion të Baton Haxhiut. (këtu)

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se ushtria amerikane ka menduar qe një kohë të gjatë që të largohet nga Kosova. “Bondsteel, amerikanët kanë menduar të largohen nga Kosova për një kohë të gjatë”, mban titullin artikulli i publikuar të premten (7 shkurt) nga portali në gjuhën shqipe “ntv.al”. Përderisa titulli e paraqet si fakt të kryer çështjen që “amerikanët kanë menduar të largohen nga Kosova për një kohë të gjatë”, në bazë të artikullit sqarohet se bëhet fjalë për një opinion të një analisti ushtarak serb. (këtu)

Share With Others

Translate »