info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Lajme të rreme për çështjen e urës së Ibrit, dezinformata dhe teori konspirative nga media serbisht
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi lajmet e rreme janë ato që dominuan ekosferën keqinformuese.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, në Facebook dhe Tiktok. Në Facebook u publikuan pretendimet se presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se trupat franceze të KFOR-it mund të tërhiqen nëse Kosova insiston ta hapë Urën e Ibrit; një fotografi nëpërmjet të cilës ka pretenduar se paraqet pamje nga dhoma e Faton Hajrizit në burgun e Smrekonicës; se Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka deklaruar se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd; se FSK-ja në fund të shtatorit do të pajiset me tanke turke T-Firtina. Në Tiktok u publikuan pretendime se Turqia i ka dhuruar Kosovës katër dronë; se Turqia mbështet kryeministrin Kurtin për hapjen e Urës së Ibrit.

Teoritë konspirative u publikuan në media në serbisht dhe faqe në Facebook në shqip. Në media në serbisht, u pretendua se djegia e tri shtëpive të serbëve në fshatin Novak të Prizrenit të dielën në mbrëmje është bërë nga shqiptarët; se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte organizatori i protestës shqiptare të së hënës në Bujanoc. Në Facebook u pretendua se tre dronë Bayraktar dhe fluturakja pa pilot Kizilelma, do t’i shtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Dezinformatat janë publikuar në media në serbisht dhe shqip. Në media serbe janë publikuar dezinformatat se Kurti me amerikanët dhe shqiptarët po ushtrojnë për sulm me dron para synimit për të hapur urën në Ibër me dhunë!”; se 45 civilët e vrarë në masakrën e Reçakut kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Në media në shqip, nëpërmjet një titulli është pretenduar se Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mbetur bosh e se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, u largua nga ajo.

Mashtrim u vlerësua një vegëz e sponsorizuar në Facebook, në formë imazhi, në mbishkrimin e së cilit pretendohet se është hapur një konkurs pune, ku kërkohet “personel për paketim farmaceutik”.

Clickbait/mashtrim, u vlerësua  një titull çorientues në media përmes së cilit mund të nënkuptohet se kandidatja e Partisë Demokratike për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, ka folur për Kosovën.

Clickbat u vlerësua një titulli ku pretendohet se “Shënohet rasti i parë me linë e majmunëve”, pa e bërë të ditur vendndodhjen e ngjarjes.

Teori konspirative

Është raportuar se “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” u kanë vënë zjarrin tri shtëpive të serbëve në fshatin Novak të Prizrenit të dielën në mbrëmje. Mediumet në gjuhën serbe “sd.rs” dhe “alo.rs” kanë ndërlidhur pa fakte “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” me djegien e tri shtëpive të serbëve në fshatin Novak të Prizrenit të dielën. Përderisa në tituj kanë raportuar se “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” u kanë vënë zjarrin shtëpive, kjo nuk përmendet në tekst. Madje në tekst citohet një qytetar që ka thënë se nuk dihet shkaktari i zjarrit. Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas shikimit të parë, zjarri ka nisur në shkurre pak më larg shtëpive, por që zjarri është përhapur shpejt. Hetimet kanë nisur e aktualisht nuk ka ndonjë të dyshuar. (këtu)

“Politika.rs”, duke u thirrur në një shkrim të gazetës në gjuhën serbe “Vecernje Novosti”, ka pretenduar pa asnjë fakt se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte organizatori i protestës shqiptare të së hënës në Bujanoc. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se kjo protestë ishte organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc. Për më tepër, në bazë të kërkimeve që hibrid.info ka bërë, kryeministri Kurti nuk është deklaruar asnjëherë në lidhje me protestën në fjalë. (këtu)

Përmes disa postimeve në Facebook u pretendua se tre dronë Bayraktar dhe fluturakja pa pilot Kizilelma, do t’i shtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Këto postime u publikuan në Facebook (12, 13 gusht) nga faqet “DARDANIA ARMY” dhe “Dardania Today”. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në burime kredibile, që pretendon për furnizimin e FSK-së me këto lloj pajisje. (këtu)

Lajm i rremë

Pretendohet se presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se trupat franceze të KFOR-it mund të tërhiqen nëse Kosova insiston ta hapë Urën e Ibrit. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer, ka vërtetuar se ky pretendim është i rremë. Një deklaratë e tillë nuk është bërë nga presidenti Macron. Po ashtu, në postimin e bërë në Facebook nga faqja “MeKryeministrin”, u pretendua se gjoja për këtë deklaratë të Macronit, ka reaguar ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan. Hibrid.info ka vërtetuar se Ministria e Jashtme e Turqisë nuk ka dalë me ndonjë reagim në lidhje me insistimin e Kosovës për të hapur Urën e Ibrit. (këtu)

Përmes një postimi në TikTok të publikuar (12 gusht) u pretendua se Turqia i ka dhuruar Kosovës katër dronë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile që dëshmon të njëjtën. Po ashtu, fotografia që shfaq Kurtin me Erdoganin, është e vjetër, e realizuar në shkurt të vitit 2023. (këtu)

Faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook ka publikuar të hënën një fotografi nëpërmjet të cilës ka pretenduar se paraqet pamje nga dhoma e Faton Hajrizit në burgun e Smrekonicës. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se fotografia është e vjetër dhe e shkrepur në ish-burgun e Alcatrazit në SHBA. (këtu)

Përmes një postimi në TikTok të publikuar (12 gusht) u pretendua se Turqia mbështet kryeministrin Kurtin për hapjen e Urës së Ibrit. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile që dëshmon të njëjtën. Gjithashtu, as në ueb-faqen zyrtare të presidencës turke, në rubrikën e njoftimeve, por as në atë të MPJ-së turke, nuk ka asnjë informacion të publikuar në lidhje me qëndrimin e shtetit turk për hapjen e Urës së Ibrit. (këtu)

U pretendua se Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka deklaruar se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd. Ky postim u publikua (14 gusht) në Facebook nga faqet si, “Me Albin Kurti”, “Informohu24” dhe “Atdheu Lajm”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, një deklaratë e tillë nga Ulutas nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil. KFOR përmes një komunikatë të lëshuar për media me datë 13 gusht, lidhur me këtë çështje, është shprehur se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. (këtu)

Pretendohet se tanket turke T-Firtina, në fund të shtatorit do t’i shtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pretendimi se FSK-ja në fund të shtatorit do të pajiset me tanke turke T-Firtina, është i rremë. Me këtë pajisje pritet të furnizohen shtetet si Katari dhe Ukraina, ndërsa nuk ka asnjë informacion të publikuar që dëshmon se edhe Kosova do të furnizohet me tanke T-Firtina. (këtu)

Dezinformatë

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull (12 gusht) me titull “E konfirmuar! Përgatitet e keqja! Kurti me amerikanët dhe shqiptarët po ushtrojnë për sulm me dron para synimit për të hapur urën në Ibër me dhunë!”. Ky medium pretendon se kryeministri Albin Kurti, “mesa duket po përgatit një sulm të ri ndaj serbëve në Kosovë”. Artikulli i referohet ushtrimit fushor “Valor Shield 2024” të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Trupave Specialë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën. Mediumi në fjalë nuk ofron ndonjë fakt se ky ushtrim ka të bëjë me ndonjë sulm ndaj serbëve të Kosovës. (këtu)

Një film propagandues serb mbi Masakrën e Reçakut, i prodhuar më 2022, ka pretenduar se 45 civilët e vrarë në këtë masakër kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Media në gjuhën serbe “Novosti.rs”, ka publikuar një artikull të hënën mbrëma (12 gusht), me titullin ““REÇAKU” ISHTE MASHTRIMI I MADH: Shikoni fotot e “civilëve” me uniformat e UÇK-së terroriste”, duke u bazuar në të dhëna propaganduese nga ky film. Me gjithë raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare të cilat kanë bërë verifikimin e kufomave, shteti i Serbisë në vazhdimësi e mohon këtë krim. (këtu)

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mbetur bosh e se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, u largua nga ajo. Publikimi është bërë nga mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al”, më 17 gusht. Pas verifikimit të fakteve, del se titulli “Ikën KFOR, ura mbetet bosh/ Lëvizja e fundit e NATO-s mbi Ibër” është i paqëndrueshëm. Titulli nuk mbështetet as në përmbajtjen e vetë artikullit, as në zhvillimet e fundit rreth urës, por as në qëndrimet zyrtare të KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, në mbishkrimin e së cilit pretendohet se është hapur një konkurs pune, ku kërkohet “personel për paketim farmaceutik”. Kjo përmbajtje është publikuar me datë 9 gusht në Facebook nga faqja që mban emrin “Local serse.com”. Por, në vegëzën e paraqitur, pas klikimit, nuk jepen informatat e nevojshme për aplikim në konkursin e pretenduar. (këtu)

Clickbait/Mashtrim

Mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al” ka përdorur një titull çorientues përmes së cilit mund të nënkuptohet se kandidatja e Partisë Demokratike për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, ka folur për Kosovën. Por artikulli bën fjalë për një opinion të Janusz Bugajskit. Ky medium, në faqen e vet në Facebook, ka përdorur një imazh të manipuluar të Harrisit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. (këtu)

Clickbait

Nëpërmjet një titulli pretendohet se “Shënohet rasti i parë me linë e majmunëve”. Artikulli është publikuar të enjten (15 gusht) nga portali në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Titulli nuk tregon se bëhet fjalë për Suedinë. Vendndodhja e ngjarjes bëhet e ditur vetëm në përmbajtjet të artikullit. Në hyrje të artikullit tregohet se “Suedia ka regjistruar rastin e parë të variantit të ri infektiv të mpox, ose lija e majmunëve”. (këtu)

Share With Others

Translate »