[email protected]
Ndërlidhet pa fakte me shqiptarët dhe Kurtin djegia e tri shtëpive të serbëve afër Prizrenit
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është raportuar se “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” u kanë vënë zjarrin tri shtëpive të serbëve në fshatin Novak të Prizrenit të dielën në mbrëmje.

Pretendimi është bërë nga mediumet në gjuhën serbe “alo.rs” dhe “sd.rs” të dielën (11 gusht) dhe të hënën (12 gusht).

Çka nuk shkon me këto publikime?

“Terrori i falangave të Kurtit vazhdon! Tri shtëpi të serbëve të kthyer janë djegur rrafsh me tokë” mban titullin publikimi i portalit “sd.rs” të dielën. “Horror në Prizren! Shqiptarët i vënë zjarrin shtëpive të serbëve të kthyer!” është titulli që ka përdorur “alo.rs”. Asnjëri titull nuk bazohet në fakte e madje nuk ka ndërlidhje as me tekstin. Kuptimi i fjalës “falangat” (faqe 212).


Vegëzat e artikujve në fjalë:

https://archive.is/yFhia

https://archive.is/vkc8S


Në artikuj citohet Spasa Andrejeviq, që është paraqitur si një nga të kthyerit. Vetë Andrejeviq është cituar të ketë deklaruar se nuk dihet shkaktari i zjarrit që përfshiu shtëpitë.


Çka ka thënë Policia e Kosovës?

Policia e Kosovës në një njoftim publik në faqen e vet në Facebook të hënën (12 korrik) ka thënë se nuk ka të dyshuar për momentin e se po pritet raporti i ekspertëve që të shpjegohet se si ka ardhur dhe ku ka filluar zjarri. Në njoftim thuhet se patrullat policore janë informuar në vendngjarje se bëhet fjalë për një zjarr fushor që është përhapur shpejt e që më pas janë djegur edhe shtëpitë që gjendeshin afër.  Sipas Policisë, shtëpitë ishin të pabanuara.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës (pa ndërhyrje):

Zjarr në fshatin Novak, Prizren

Prizren, 12 gusht 2024

Me datë 11.08.2024, rreth orës 19: 25 është raportuar për një zjarr në fshatin Novak, KK Prizren.

Patrullat policor të Stacionit Policor Prizren veri menjëherë kanë shkuar në vend ngjarje prej nga janë informuar se pasi që kanë marrë zjarr shkurret (peregji ) në afërsi të shtëpive, zjarri fushor është pahapur dhe jan djegë edhe tre shtëpitë që gjendeshin aty afër.

Të tre shtëpitë ishin të pabanuara dhe janë pronë e qytetarëve Serb /Kosovar, në përgjithësi ajo lagje është e pabanuar por në fshat ka disa banor Serb dhe Shqiptar.

Në shuarjen e zjarrit fillimisht është angazhuar me cisternat e saj një kompani vendore e cila e ka bazën aty afër e më pas edhe zjarrfikësit. Zjarri është arrit që të shuhet.

Nga shikimi I parë duket se zjarri ka filluar në shkurre pak më larg shtëpive por duke marrë parasysh se lagia në përgjithësi e edhe oborret e shtëpive janë të pabanuara, kanë pasur bimësi dhe shkurre të shumta e të thara për shkak të motit, andaj edhe zjarri është përhap shpejt.

Sidoqoftë lidhur me rastin është njoftuar prokurori I shtetit , e në vend ngjarje kanë dal edhe hetuesit e stacionit dhe hetuesit nga Sektori Rajonal Hetimeve si dhe eproret e stacionit dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë.

Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar, presim raportin e ekspertëve të zjarrit që të shpjegojnë se si ka ardhur dhe ku ka filluar zjarri.

Rasti do të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve nga DRP Prizren.


Analiza:

Mediumet në gjuhën serbe “sd.rs” dhe “alo.rs” kanë ndërlidhur pa fakte “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” me djegien e tri shtëpive të serbëve në fshatin Novak të Prizrenit të dielën. Përderisa në tituj kanë raportuar se “shqiptarët” dhe “falangat e Kurtit” u kanë vënë zjarrin shtëpive, kjo nuk përmendet në tekst. Madje në tekst citohet një qytetar që ka thënë se nuk dihet shkaktari i zjarrit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas shikimit të parë, zjarri ka nisur në shkurre pak më larg shtëpive, por që zjarri është përhapur shpejt. Hetimet kanë nisur e aktualisht nuk ka ndonjë të dyshuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta tituj si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »