Shkroi: Etrit Rexhepi
“Rruga Prishtinë – Mitrovicë do të përfundoj brenda afatit prej 12 muajve”.
Kështu shkruhej në përshkrimin e një video-materiali të publikuar më 8 shkurt, 2024, në llogarinë e Hysen Durmishit, zëvendësministrit të Infrastrukturës në Facebook.
A përfundoi realizimi i kësaj rruge brenda këtij afati?
Hibrid.info ka gjetur se një pjesë e rrugës është përfunduar, ndërsa punimet në realizimin e saj në tërësi ende po vazhdojnë.

Deklarata e transkriptuar e Durmishit nga video:
“Jemi detyruar të shkëpusim kontratën dhe kemi filluar menjëherë procedurën për nënshkrimin e kontratës së re. Sot jemi në ditën kur e kemi nënshkruar kontratën dhe jemi kujdesur që në kontratë plani dinamik për zhvillimin e punimeve të jetë i shkurtër. Pra, që nga sot janë 12 muaj, ditë kalendarike jo ditë pune; pra, sot kontraktori ka për obligim ta dorëzojë punishten e përfunduar, komplet këtë projekt. Do të kujdesemi që fazën e parë të punimeve ta punojmë kryesisht në segmentin e parë të rrugës deri në Vushtrri dhe, në pjesën e dytë të vitit, të punojmë në bypass-in që është në Vushtrri, pasi është më pak i ngarkuar me komunikacion. Pra, që në kohën kur vijnë mërgimtarët, pjesa kryesore e rrugës të jetë e përfunduar, në korrik-gusht, dhe mandej të vazhdojmë me segmentin tjetër”.
Hibrid.info ka gjetur detaje të projektit të kësaj rruge, në një postim në Facebook, të minstrit Liburn Aliu, të publikuar në ditën e nënshkrimit të kontratës (8 shkurt).
Në status shkruhej se projekti i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, përfshin segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km.
Shih fotografinë:

Në një publikim në Facebook (20 dhjetor, 2024) u njoftua nga Albin Kurti, kryeministri i Kosovës për finalizimin e segmentit Stanovc-Hyrje e Vushtrrisë me gjatësi 5.5 kilometra në kuadër të rrugës Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë brenda 10 muajve nga nënshkrimi i kontratës së re.
Tutje, Kurti kishte shkruar se punimet nga aty deri në Gojbulë me gjatësi rreth 4.2 kilometra, po vazhdonin.
Shih fotografinë:

Hibrid.info ka hulumtuar për publikime nga mediat, të cilat mund të japin informacione për gjendjen e punimeve në këtë rrugë. Publikimi më i fundit i gjetur, është një video-material me një kronikë nga “Televizioni ATV”, i publikuar në kanalin zyrtar të këtij mediumi në Youtube, më 21 janar, 2025.
Në bazë të kësaj që thuhet në video, kuptohet se në segmentin e mbetur të kësaj rruge, në kohën e publikimit të kësaj kronike, nuk po punohej.
Lajmi përmban edhe një deklaratë të ministrit Durmishi, i cili vonesat i arsyeton me motin e ligë dhe paralajmëron penalizime ndaj kompanisë, për shkak të mospërmbushjes së kontratës (shih këtu).
Një vit nga nënshkrimi i kontratës, hibrid.info ka kontrolluar në llogaritë e zyrtarëve insitucionalë përgjegjës në Facebook (kryeministri Kurti, ministri Aliu dhe zëvendës ministri Durmishi,) në faqen në Facebook dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Infrastrukturës si dhe në ueb-faqen e Qeverisë.
Në asnjë nga këto burime informacionesh, nuk është gjetur konfirmim për përfundimin e këtij projekti, brenda afatit të deklaruar nga ministri Durmishi.
Përfundimi:
Ndërtimi i rrugës Prishtinë – Mitrovicë, segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, nuk ka përfunduar brenda një viti, ashtu siç kishte deklaruar zëvendësministri i Infrastrukturës, Durmishi.
Hibrid.info ka gjetur se brenda kësaj periudhe njëvjeçare, është përfunduar një pjesë e kësaj rruge.
Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, mosrealizimin e këtij zotimi, hibrid.info e vlerëson si “mbajtje të pjesshme të premtimit”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katërvjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.
Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).