[email protected]
Sërish mashtrohet me “lojë shpërblyese” duke keqpërdorur imazhin e Leonora Jakupit
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në Facebook është inskenuar sërish lojë shpërblyese me pretendimin se këngëtarja shqiptare, Leonora Jakupi, do të shpërblejë 400 persona që komentojnë në një video.

“Dhuratë për fansat❤️👋Përshëndetje!! ju bekoj te gjitheve!! 400 të parët që thonë (Përshëndetje), do t’ju jap 10,000 € ‘sot’”, thuhet në përshkrimin e videos më të gjatë se katër orë, e në të cilën pretendohet se artistja në një video-paraqitje të drejtpërdrejtë po paralajmëron shpërblimin.

Hibrid.info veçse kishte verifikuar këtë video-material edhe në të kaluarën. Bëhet fjalë për përmbajtje që daton nga viti 2019 dhe që s’ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese. (shih këtu)

Në këtë video-material, këngëtarja nga Kosova, Leonora Jakupi, flet me komentuesit në një paraqitje të drejtpërdrejtë përmes llogarisë së saj personale në Facebook, ku sqaron se tashmë llogaria e saj do të mirëmbahet nga vetë ajo.


Video-materiali i publikuar më 18 maj 2024 në Facebook nga faqja me emrin “Leonora Jakupi”:

https://www.facebook.com/61557219352715/videos/817934176466002


Pas hulumtimit të kryer në mediat sociale, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë video-material të realizuar nga Leonora Jakupi, i publikuar në llogarinë e saj personale në Facebook, me datë 4 nëntor 2019, dhe që zgjat 4 minuta e 23 sekonda. (shih këtu)

Te materiali që pretendon për lojë shpërblyese kjo video përsëritet vazhdimisht.


Në video-materialin e faqes që pretendon për lojë shpërblyese në emër të këngëtares shqiptare, janë bërë më shumë se 800 komente. Deri tash video-materiali ka grumbulluar 35 mijë shikime. E faqja me emrin e këngëtares ka 137 ndjekës deri në momentin e trajtimit të kësaj përmbajtjeje.


Analiza:

Një faqe në Facebook me emrin “Leonora Jakupi” ka publikuar një video të këngëtares Leonora Jakupi me pretendimin se po bën thirrje për shpërblim me para të atyre që komentojnë.

Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura dhe ka vërtetuar se video e artistes së lartcekur është e vitit 2019. Në të ajo kishte biseduar me komentuesit në një paraqitje të drejtpërdrejtë përmes Facebook, duke sqaruar se tashmë personalisht do ta mirëmbajë llogarinë e saj në këtë media sociale.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »