Llogaria në median sociale “TikTok” me emrin “gilan_zero6” ka publikuar një video-material me pretendimin se në qendrën tregtare “Prishtina Mall” ka rënë një pjesë e tavanit.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet nuk janë xhiruar në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, por se kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin San Salvador në El Salvador.
Vegëza e video-materialit të publikuar në “TikTok” nga llogaria “gilan_zero6”:
Ky video-material i publikuar dje (18 prill), deri tani ka grumbulluar mbi 500 mijë shikime. (shih fotografinë më poshtë)
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumin “elsalvadortoday.com”, ku bëhet e qartë se në qendrën tregtare Millennium Plaza, si pasojë e një stuhie, kishte rënë një pjesë e tavanit së saj. (shih këtu)
E njëjta video është gjetur e publikuar edhe në Twitter nga llogaritë “ITR Oficial” dhe “El Salvador Noticias”, të cilat kanë raportuar lidhur me këtë ngjarje. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Llogaria në TikTok me emrin “gilan_zero6” ka publikuar një video-material të xhiruar në një qendër tregtare në El Salvador, të cilës i kishte rënë një pjesë e çatisë si pasojë e një stuhie.
Mirëpo, kjo llogari ka pretenduar rrejshëm se video është xhiruar në qendrën tregtare “Prishtina Mall”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.