Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se mbrëmë (21 mars) gjatë ndeshjes Angli – Shqipëri, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026, tifozët anglezë kanë brohoritur “Kosova është Serbi”.
Ky pretendim fillimisht u publikua në X (ish-Twitter) nga llogaria “FantomBeograda” (arkiva). Ndërsa më pas u publikua si artikull nga mediumet online në gjuhën serbe “Telegraf.rs” (arkiva), “B92.net” (arkiva) dhe “Republika.rs” (arkiva).

Pas një analize të kryer nga hibrid.info, u konstatua se në videon e postuar në artikull nuk dëgjohet asnjë brohoritje e tillë nga tifozët anglezë. Në vend të kësaj, në një regjistrim 27-sekondësh, duket se brohoritja është bërë nga tifozët e Kombëtares së Shqipërisë, të cilët brohorisnin “Shqipëria kampion”. (shih këtu).
Gjithashtu, një kërkim në Google me fjalët kyçe në anglisht “The English fans shout ‘Kosovo is Serbia’ to the Albanians” nuk dha asnjë rezultat që mbështet këtë pretendim. Asnjë medium online në shqip nuk ka raportuar një brohoritje të tillë nga tifozët anglezë (shih këtu).
Shqipëria e humbi ndeshjen kundër Anglisë me rezultat 2:0, në përballjen e saj të parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026. (këtu)
Analiza:
Pretendimet se tifozët anglezë brohoritën “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjes Angli-Shqipëri më 21 mars rezultuan të pavërteta.
Pas verifikimit nga hibrid.info, në videon e shpërndarë dëgjohen tifozët shqiptarë duke brohoritur “Shqipëria kampion”, jo tifozët anglezë. Kërkimet në Google dhe mediat në shqip nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që mbështet këtë pretendim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.