Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “Banglacontent24.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur “person non grata” kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim i bërë në titull është i komplet i sajuar, pasi nuk korrespondon me përmbajtjen.
Në përmbajtje gjendet lajm i vjetër i muajit nëntor 2021 dhe ka të bëjë me një intervistë të Kurtit, dhënë për mediumin kroat – “Vecernji List”. (shih këtu)
Kurti gjatë asaj interviste kishte folur rreth iniciativës së “Ballkanit të Hapur”, për të cilin kishte thënë se “mund ta kemi vetëm pasi Serbia të hapet me Kosovën”.
Gjithashtu, mes tjerash, ai kishte deklaruar se “Ballkani i Hapur” do të mbetet i tillë vetëm për korrupsion, kriminelë të luftës dhe se është në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “Banglacontent24.com”:
Ky artikull me pretendim të rremë është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Gazeta Aktive”, e cila numëron mbi 90 mijë ndjekës. (shih këtu)
Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në kohë reale (22 nëntor 2021) në disa media online në gjuhën shqipe. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “Banglacontent24.com” ka publikuar një artikull të vjetër, në të cilin gjendet një pjesë nga intervista e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, dhënë për mediumin kroat “Vecernji List”, i cili ndër të tjerash, kishte folur rreth nismës së “Ballkanit të hapur”.
Mirëpo, ky portal këtij artikulli i ka vënë titull të rremë me pretendimin se Kurti e ka shpallur “person non grata” kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.