Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar të shtunën (31 dhjetor) një artikull, me titull të sajuar “Flet për herë të parë e moshuara që u rrah nga infermieret”.
Përmes këtij titulli të sajuar, autorët e këtyre artikujve, pretendojnë se është prononcuar e moshuara e keqtrajtuar fizikisht muaj më parë nga infermiere brenda shtëpisë së pleqve në Pejë “Orenda”.
Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se gruaja e moshuar nuk ka folur lidhur me rastin, por në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një video e datës 3 nëntor 2022 e publikuar nga medium online “Nacionale.com”.
Në këtë video-material shihen pamje të së moshuarës, e cila ishte nxjerrë nga familjarët nga kjo shtëpi e pleqve, ndërsa gjithashtu në të gjenden deklarata të drejtuesve të kësaj shtëpie, e jo nga e moshuara siç pretendohet rrejshëm në titullin e artikullit të publikuar nga portalet e dyshimta. (shih videon këtu)
Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet e dyshimta “news308media.com” dhe “me.active24live.com”:
Ky artikull me titull të sajuar është shpërndarë më 31 dhjetor edhe në Facebook nga faqet “Lexo Sot” dhe “Vizioni.ks”.
Lidhur me këtë rast, për herë të parë kishte reaguar aktorja kosovare Kaltrinë Zeneli, e cila me datë 2 nëntor përmes llogarisë së saj personale në Facebook, kishte publikuar video materialin në të cilin gjendeshin pamjet duke u sulmuar fizikisht e moshuara nga disa infermiere në shtëpinë e pleqve “Orenda në Pejë”. (shih këtu)
Analiza:
Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se “flet për herë të parë” gruaja e moshuar e cila u sulmua fizikisht nga disa infermiere para disa muajsh në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.
Mirëpo, në përmbajtje të artikullit gjendet një video material i publikuar më 3 nëntor nga “Nacionale.com”, në të cilin gjenden deklarata të drejtuesve të kësaj shtëpie të pleqve.
Pra, video është e vjetër dhe nuk ka asnjë prononcim nga gruaja e moshuar, siç pretendohet rrejshëm në titull të këtij artikulli të publikuar nga këto portale të dyshimta.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait” dhe “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.