info@hibrid.info
Titulli lë hapësirë për paqartësi se nga kush u bë deklarata
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

U publikua një artikull i titulluar, “Kurti i del në mbrojtje partisë së Arsenijeviqit që heroizoi terroristin Milan Radojçiq: ‘Milioner që e rroki pushkën, kjo është diçka për t’u respektuar’”.

Artikulli në fjalë është publikuar më 9 mars nga mediumi “demokracia.com”

Çka nuk është në rregull me titullin?

Hibrid.info vlerëson se titulli është shkruar në formën e tillë, nga e cila nuk kuptohet se kush e ka bërë deklaratën e cituar brenda tij.


Për të shpjeguar pse ky titull nuk është në rregull, hibrid.info ka hulumtuar për kuptimin e shenjës së pikësimit, dy pikat (:).

Sipas fjalorit të Kembrixhit, dy pikat përdoren për të prezantuar lista, për të treguar një nëntitull ose ndarje të një teme, për të prezantuar citate të drejtpërdrejta dhe përdoret midis dy fjalish, kur fjalia e dytë shpjegon fjalinë e parë (shih më shumë).

Në këtë rast, kjo shenjë është përdorur për të paraqitur citatin, “Milioner që e rroki pushkën, kjo është diçka për t’u respektuar”.

Por, kush ka deklaruar kështu?

Fjalia para citatit, “Kurti i del në mbrojtje partisë së Arsenijeviqit që heroizoi terroristin Milan Radojçiq”, ka dy kallëzues dhe përmban një lidhëz nënrenditëse. Që do të thotë se kemi të bëjmë me fjali të përbërë me nënrenditje.

Njësia (pjesa) që shërben si bazë organizuese e fjalisë së përbërë, quhet fjali kryesore, ndërsa ajo që e plotëson, e sqaron atë që është e varur gramatikisht prej saj, quhet fjali e nënrenditur ose fjali e varur.

Në këtë rast fjalia kryesore është, “Kurti i del në mbrojtje partisë së Aresnijeviqit”, ndërsa pjesa plotësuese është “që heroizoi terroristin Milan Radojçiq”.

Por, citati pas fjalisë së përbërë nuk shpjegon pjesën kryesore të kësaj fjalie. Siç kuptohet nga përmbajtja e artikullit, deklarata për Radoiçiqin është bërë nga Alleksandar Arsenijeviq, kryetar i partisë “Demokracia Serbe” (shih këtu).

Ndërsa Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është shprehur se, “Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia Serbe të Alleksandar Arsenijeviq por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali”.

Kjo deklaratë është interpretuar si mbrojtje e Kurtit për partinë e Arsenijeviqit, por që e njëjta nuk është paraqitur në titull.

Hibrid.info vlerëson se nga mënyra në të cilën është shkruar titulli, ka paqartësi se kush e ka bërë deklaratën e cituar brenda titullit.


Analiza:

Deklarata e paraqitur në titull për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, nuk kuptohet nëse është bërë nga kryeministri Kurti apo nga kryetari i “Demokracia Serbe”, Arsenijeviq.

Ndërsa në përmbajtje sqarohet.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »