Portali i dyshimtë “specialja.com” ka publikuar një artikull me titull “Ngjarje e rëndë në Prishtinë ndodhi para 10 minutash ka të vdèkûr”.
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që ky artikull është komplet i sajuar, pasi një lajm i tillë nuk është gjetur në asnjë medium kredibil.
Megjithatë, në vitin 2017 ky artikull është publikuar vetëm në portalin tjetër të dyshimtë “alba-info.org”, ndërsa tani është ripublikuar nga “specialja.com”, duke u munduar ta paraqesë atë si të vërtetë dhe aktual.
Gjithashtu, fotografia në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes së tekstit, ku shihet një pjesë e qytetit të Prishtinës tek Hotel Grandi, si dhe një numër i madh i qytetarëve.
Teksti i artikullit të publikuar në “specialja.com”:
Ngjarja e rëndë ka ndodhur para pak minutave ku 39 vjeçari me iniciale (A.M) është gjetur i vdèkûr.
Sipas te dhenave ngjarja ka ndodhur ku dy persona kanë pas mos marreveshje mes tyre, dhe (A.M) është vr àr me 5 plû mbà.
Kamerat e një lokali e kan siguruar videon kur ndodhi, dhe Policia është në kërkim të dyshuarit, ja dhe video kur i dyshuari e bëri. Ndiqni pamjet ne vazhdim: / Pak sekonda pasi ta hapësh marketingun shih PAMJET
Vegëza e artikullit të publikuar në “specialja.com”:
Më poshtë mund të gjeni vegëzën e artikullit me këtë lajm të publikuar në vitin 2017 nga portali i dyshimtë “alba-info.org”.
Analiza:
Portali i dyshimtë “specialja.com” ka publikuar një lajm të vjetër dhe të sajuar, duke u munduar ta paraqesë atë si aktual dhe të vërtetë.
Hibrid.info nuk ka arritur ta gjejë këtë lajm në ndonjë medium kredibil, por atë e ka gjëtur në portalin tjetër të dyshimtë “alba-info.org”, të publikuar në vitin 2017.
Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që ky artikull merr vlerësimin si “lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.