Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “seedoof.com” ka publikuar me 2 tetor një artikull me titull “Hyn në fuqi vendimi, nga sot Gjermania njeh patentat e Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në artikull, hibrid.info ka vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në shkurt të këtij viti.
Nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin autentik të publikuar në portalin “Deutche Welle” në gjuhën shqipe me datë 11 shkurt. I njëjti artikull është postuar më 2 tetor nga portali i dyshimtë “seedoof.com” me pretendimin të paraqitet si aktual.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “seedoof.com”:
Ky artikull i vjetër i publikuar nga ky portal i dyshimtë, është shpërndarë dje (12 tetor) në Facebook nga faqja “33shi.com”, e cila numëron mbi 45 mijë ndjekës. (shih këtu)
Mediumi online “Deutche Welle” në gjuhën shqipe, me datë 11 shkurt kishte publikuar këtë artikull, atëkohë kur Këshilli Federal i Gjermanisë me kërkesë të qeverisë federale kishte miratuar vendimin që konvertimi i patent shoferëve shqiptarë dhe kosovarë në Gjermani të bëhet pa provime shtesë. (shih këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “seedoof.com” ka publikuar një artikull të vjetër lidhur me patentë shoferët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët njihen nga shteti gjerman.
Këtë lajm të vjetër të muajit shkurt, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.