[email protected]
Në mbështetje të Kurtit përmes keqinformatave
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16 gusht ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

E në kohën e intensifikimit të gjuhës elektorale, në prag të zgjedhjeve parlamentare të rregullta, janë rritur ndjeshëm keqinformatat në mbështetje të partive politike.

Gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, janë gjetur faqe në Facebook e llogari në TikTok që publikojnë keqinformata në mbështetje të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në muajin gusht janë gjetur dhe verifikuar tetë përmbajtje keqinformuese, duke publikuar sondazhe të rreme e deklarata të pathëna të Kurtit, në mbështetje të tij. Ndërsa edhe në muajin shtator janë gjetur dhe verifikuar tetë përmbajtje të tilla.


Me datë 1 gusht, u gjet një përmbajtje në TikTok, e cila kishte publikuar një sondazh të rremë, në të cilën paraqitej Lëvizja Vetëvendosje si e para me 82%. (shih këtu) Kjo llogari në TikTok që mban emrin “mezatarum” publikon përmbajtje në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit. (shih këtu)

Faqja “Diaspora me Albinin”, gjatë muajit gusht ka publikuar dy përmbajtje keqinformuese, të cilat hibrid.info i ka vlerësuar si “Lajme të rreme”. Në njërën përmbajtje u pretendua rrejshëm se Kurti po vazhdon ta armatosë ushtrinë. Në këtë përmbajtje u ngrit pretendimi i blerjes së sistemit të mbrojtjes ajrore nga Turqia “KORKUT 8×8” (shih këtu). Në përmbajtjen tjetër, u pretendohet rrejshëm se në fund të vitit FSK-ja do të pajiset me fluturaken pa pilot “Kizilelma”. Në këtë postim paraqitet fotografia e Kurtit gjatë vizitës së tij në kompaninë turke të industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit, “Baykar” (shih këtu).

Në muajin gusht dhe shtator, faqja në Facebook “Lajme Nga Botaka publikuar tri përmbajtje keqinformuese duke përdorur figurën e Kurtit. Në njërën përmbajtje u pretendua rrejshëm për furnizimin me armë nga Turqia (shih këtu). Në përmbajtjen tjetër për arritjen e marrëveshjes me Kuvajtin për investim afro 1 miliardë euro në Kosovë (shih këtu). Kjo faqe publikoi edhe një deklaratë të paqenë, duke pretenduar rrejshëm se Kurti ka thënë që BE-ja ia ka premtuar Serbisë mos-hapjen e Urës së Ibrit (shih këtu).

Një faqe tjetër në Facebook me emrin “Me Albin Kurtin”, e cila tashmë duket se është fshirë (shih këtu), gjatë muajit gusht kishte publikuar katër përmbajtje keqinformuese, të cilat u vlerësuan nga hibrid.info si “Lajme të rreme”. Tri nga këto përmbajtje pretendonin rrejshëm për furnizimin me armatim nga Izraeli dhe Turqia, duke i paraqitur si suksese të Kurtit (shih këtu, këtu dhe këtu). Në përmbajtjen tjetër të publikuar nga kjo faqe u paraqit një fotografi e Kurtit me ish-komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutas, përmes së cilës u pretendua rrejshëm se komandanti turk ka thënë se “Ura e Ibrit është në Kosovë ajo duhet të hapet pa pyetur askënd” (shih këtu).

Llogaria në TikTok “mevetevendosje” në muajin shtator ka publikuar një sondazh të rremë, duke e paraqitur Lëvizjen Vetëvendosje të parën me 48%, me pretendimin se në këtë sondazh nuk është përfshirë diaspora (shih këtu).

Llogaria tjetër në TikTok me emrin “gladiatorkosova”, e cila publikon përmbajtje në mbështetje të Kurtit, gjatë gushtit ka publikuar dy përmbajtje të rreme. Në njërën përmbajtje pretendohet rrejshëm se Kurti ka thënë se Kosova po planifikon ta hapë fabrikën e armatimit (shih këtu), ndërsa në tjetrën se Qeveria Kurti do t’i ndërtojë mbi 600 shtëpi për shqiptarët në veri të Kosovës (shih këtu).

Llogaria në TikTok që mban emrin “albinkurti_kryeministër”, përmes një fotografie ku paraqitet Kurti me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, pretendohet rrejshëm se Turqia e mbështet Kurtin për hapjen e Urës së Ibrit (shih këtu).

Në TikTok janë gjetur edhe përmbajtje tjera të rreme nga llogaritë “cr7shqip” dhe “fbi13039”. Nga këto llogari u publikuan përmbajtje duke përdorur figurën e Kurtit, me pretendime si “Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës” (shih këtu) dhe “Kosova ka siguruar tanke nga Turqia” (shih këtu).

Share With Others

Leave a Reply

Translate »