Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “Televizioni-24.com” ka publikuar dje (20 dhjetor) një artikull me titull “Kosova e injoron prej kohësh, djaloshi shqiptar i shënon Fenerbahces në Kupën e Turqisë (video)”.
Artikulli ka të bëjë me futbollistin kosovar, Jetmir Topalli, i cili dje (20 dhjetor) kishte shënuar gol për skuadrën e tij Istanbulspor ndaj Fenerbahçes në ndeshjen e zhvilluar për Kupën e Turqisë. (shih këtu)
Megjithatë, ky portal i dyshimtë, përmes titullit, pretendon rrejshëm se ky futbollist po injorohet nga përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Kjo është vërtetuar pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, ku është gjet se Topalli është ftuar për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, të cilat Kosova i ka zhvilluar ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “Televizioni-24.com”:
Ky artikull është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Albania Team”, e cila në këtë postim ka vënë mbishkrimin “Nese Kosova e injoron serish, pse mos ta ftoje Shqiperia? ”. (shih këtu)
Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjet listën e të ftuarve te Kosova për ndeshjet e muajit nëntor, në të cilën gjendet edhe emri i futbollistit kosovar – Jetmir Topalli. (shih këtu)

Përveç që ky lojtar është ftuar në ndeshjet e fundit të Kosovës, ai edhe është aktivizuar në to.
Në ndeshjen ndaj Armenisë, Topalli është aktivizuar nga minuta e 75-të (këtu), ndërsa ndaj Ishujve Faroe ai u paraqit nga minuta e parë (këtu).


Analiza:
Portali i dyshimtë “televizioni-24.com” ka pretenduar rrejshëm se futbollisti kosovar, Jetmir Topalli, është injoruar nga përfaqësuesja e Kosovës, duke lënë të nënkuptohet se ai nuk po ftohet në ndeshjet e Kosovës.
Se ky pretendim është i pasaktë, u vërtetua pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info. Topalli ishte i grumbulluar në dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, të cilat Kosova i zhvilloi ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.