info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm për lirimin e Thaçit dhe Veselit, me anë të një postimi të manipuluar të Haradinajt në Facebook
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh që pretendon se Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shkruar Facebook, ku është shprehur i lumtur me lajmin e lirimit nga Haga, të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët në shkrim pretendohet se do të kthehen në Kosovë, më 20 dhjetor.

Përmbajtja që paraqet postimin e Haradinajt në Facebook, është publikuar dje (2 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseliofficial_”.

E vërteta?

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, që tregon se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë liruar nga procesi gjyqësor në Hagë dhe se në llogarinë e liderit të AAK-së në Facebook, nuk është gjetur asnjë postim, çfarë shihet në publikimin e trajtuar.


Hibrid.info ka kontrolluar faqen e ish-kryeministrit të Kosovës në Facebook, por që aty nuk është gjetur asnjë publikim i ngjashëm me atë që e shohim në imazhin më lart.

Çka tregon se publikimi në fjalë mund të jetë manipuluar dhe paraqitur si imitim i publikimeve nga faqja e Haradinajt në Facebook.

Hibrid.info ka hulumtuar ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit tё Specializuar të Kosovёs, në seksionin e emëruar “Lajme/Media”, ku nga njoftimet e publikuara nga ky institucion, nuk është gjetur asnjë njoftim që tregon se është marrë një vendim përfundimtar në procesin gjyqësor të Thaçit dhe Veselit.

Në ueb-faqe, në vegëzën për rastin “Thaçin dhe të tjerët” mund të shihet se ky rast është ende në fazë të gjykimit.

Gjithashtu edhe në vegëzën për informatat aktuale të procesit, në këtë ueb-faqe, mund të shihet se procesi po vazhdon, ku publikohen vazhdimisht informacione për rrjedhën e gjykimit.

Në bazë të një interviste për agjencinë e lajmeve “ekonomiaonline.com”, të gjetur nga hibrid.info, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, tregohet se Prokuroria e këtij institucioni pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm, duke e paralajmëruar edhe përfundimin e këtij gjykimi në vitin e ardhshëm.

Hibrid.info ka trajtuar dhe ka vlerësuar disa publikime të ngjashme kohëve të fundit, ku pretendohet se Thaçi dhe Veseli do të kthehen në Kosovë, më 20 dhjetor (shih këtukëtukëtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook, se është i lumtur për lirimin e Thaçit dhe Veselit nga Haga, është paraqitur me fotografi të manipuluar.

Pretendimi se ish-krerët e UÇK-së janë liruar nga Haga dhe do të kthehën në Kosovë më 20 dhjetor, është i pasaktë.

Bazuar në metodologjinë  e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrime”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »