Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një video-materiali pretendohet se “Beretat e Gjelbra” të ushtrisë amerikane kanë rrethuar veriun e Kosovës dhe Ujmanin, si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Videoja me këtë pretendim u publikua në TikTok nga llogaria “gazettajournal” me datë 5 gusht.
E vërteta?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se videoja është e vjetër, e realizuar në vitin 2018.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “gazettajournal”:
Pas hulumtimit të kryer përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin autentik të publikuar në “KlanKosova.tv”. Kjo video mban datën 4 gusht 2018. (shih këtu)
Atëkohë KlanKosova kishte raportuar se “ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishin zënë pozicione gjatë rrugës që nga Zubin Potoku të shpie në fshatin Gazivodë”, ku pjesëtarëve amerikan të KFOR-it, iu kishte dhënë detyra ta vëzhgojnë në mënyrë strikte liqenin e Ujmanit.
Analiza:
Përmes një videoje të vjetër, u pretendua rrejshëm se pamjet janë aktuale dhe se ushtarët amerikanë kanë rrethuar veriun e Kosovës dhe liqenin e Ujmanit, si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Hibrid.info ka vërtetuar se videoja është e vitit 2018, atëkohë kur pjesëtarëve amerikan të KFOR-it, iu kishte dhënë detyra ta vëzhgojnë liqenin e Ujmanit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.