Faqja në Facebook “Albania Team” ka publikuar një artikull të portalit të dyshimtë “Televizioni-24.com”, në përmbajtje të së cilit shkruan për performancën e mbrëmshme (4 janar) të sulmuesit kosovar të Mallorca-s, Vedat Muriqi, në ndeshjen kundër Pontevedra-s të vlefshme për Kupën e Mbretit.
Faqja “Albania Team” në mbishkrimin e këtij artikulli të publikuar në Facebook ka pretenduar se Muriqit “i shkoi ne 40 milione euro vlera sot”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, bazuar në platformën online më kredibile lidhur me çmimet e lojtarëve “Transfermarkt”, thuhet se aktualisht vlera e Vedat Muriqit është 10 milionë euro.
Vegëza e postimit në Facebook nga faqja “Albania Team”:
Ky postim nga kjo faqe ka arritur të grumbullojë mbi 300 reagime. (shih fotografinë më poshtë)
Në fund të muajit nëntor, gazetari turk, Ekrem Konur ka raportuar se trajneri i Aston Villa-s, Unai Emery po insiston për transferimin e Muriqit, për të cilin anglezët janë të gatshëm të paguajnë 20 milionë euro. (shih këtu)
Ndërsa më 2 janar, mediumi online sportiv “TeamTalk.com” ka publikuar një artikull, me pretendimin se skuadra e Aston Villa-s është e gatshme të paguajë 30 milionë euro për shërbimet e sulmuesit kosovar. (shih këtu)
Duket se faqja “Albania Team” pretendimin se Muriqit i është rritur vlera në 40 milionë euro, e ka lidhur me interesimin e Aston Villa-s për blerjen e tij.
Por, vlera aktuale e lojtarit në çmimin e ofertave për transferimin e tij nuk është e njëjtë. Pra, oferta nuk nënkupton çmimin e lojtarit, pasi që ekipi i interesuar për shërbimin e cilitdo lojtar, duhet të paguajë më shumë se vlera e tij në treg në mënyrë që të arrijë të nënshkruajë kontratë me të.
Në platformën për vlerën e lojtarëve “Transfermarkt” thuhet se çmimi aktual i Muriqit është 10 milionë euro (e përditësuar me 7 nëntor 2022). Ndërsa vlera më e lartë e çmimit të tij ishte në dhjetor të vitit 2020, 17 milionë euro, atëkohë kur sulmuesi kosovar ishte pjesë e Lazio-s. (shih këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook “Albania Team” ka publikuar një artikull lidhur me paraqitjen e Muriqit në ndeshjen që skuadra e tij Mallorca e ka fituar mbrëmë (4 janar) ndaj skuadrës Pontevedra.
Në mbishkrimin e këtij artikulli, kjo faqe ka pretenduar se Muriqit i është rritur vlera në 40 milionë euro.
Pas verifikimit të fakteve, ky pretendim i kësaj faqe është i pasaktë, pasi duke u bazuar në platformën për vlerat e lojtarëve “Transfermark”, thuhet se vlera aktuale e Muriqit është 10 milionë euro, ndërsa më e larta kishte mbërritur në 17 milionë euro, në dhjetor të vitit 2020, kur sulmuesi kosovar ishte pjesë e skuadrës italiane Lazio.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të faqes “Albania Team” si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.