[email protected]
Zelensky nuk ka deklaruar se Ukraina nuk e njeh Kosovën si shkak i njerëzve që qeverisin në vend
shape
shape
shape

Një llogari në TikTok me emrin “zdravvo” ka publikuar një video-material me imazhin e Volodymyr Zelenskyt, president i Ukrainës.

Imazhi përmban mbishkrimin ku pretendohet se presidenti ukrainas ka deklaruar se vendi i tij nuk e njeh Kosovën pasi që sipas tij, kjo do të ulte moralin e luftëtarëve ukrainas.

Sipas po të njëjtit pretendim, qeverisja e Kosovës nga njerëz që ishin kundër lirisë dhe pavarësisë së saj, do të ndikonte në uljen e moralit të luftës.

Megjithatë hibrid.info nuk ka arritur të gjejë në media online deklaratën e pretenduar.


Vegëza e video-materialit e publikuar në TikTok nga llogaria “zdravvo”:

https://www.tiktok.com/@zdravvo/video/7265714276864740614

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit, “Google” dhe nuk ka arritur të gjejë asnjë deklaratë të presidentit ukrainas në raport me Kosovën apo njohjen e pavarësisë së vendit (shih këtu).

Artikujt e vetëm të gjetur nga hibrid.info që lidhen me njohjen e Kosovës nga Ukraina, kanë të bëjnë me deklaratën e Oleksandr Merezhko, shefi i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, i cili është shprehur pro njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina, por që sipas tij kjo varet nga presidenti Zelensky (shih këtu dhe këtu).

Po ashtu hibrid.info ka gjetur postimin në Twitter të Vjosa Osmanit, presidentes së Kosovës, nga takimi me Zelenskyn në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Moldavi më 1 qershor të këtij viti (shih këtu).


Analiza:

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material ku pretendohet për një deklaratë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në raport me njohjen e Kosovës.

Sipas mbishkrimit të video-materialit, Zelensky ka deklaruar se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën, për shkak të njerëzve që e qeverisin atë.

Por një deklaratë e tillë nuk është faktuar dhe nuk është gjetur e publikuar në burime kredibile.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »