Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se në të paraqitet një librezë e anëtarësimit të Lidhjes së Komunistëve – Lëvizja për Jugosllavinë, e ish kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.
Pas hulumtimit përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se libreza e paraqitur nga këto portale të dyshimta, është e rreme, saktësisht e edituar.
Libreza e paraqitur nuk i përkiste Mustafës, por ajo ishte e ish-kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor.
Fotografinë e librezës autentike të ish-kryeministres së Kroacisë mund ta gjeni këtu.
Pra, autori i këtij artikulli ka ndërhyrë në fotografinë e librezës së Kosor, duke i hequr fotografinë e politikanës kroate për ta zëvendësuar atë me të Mustafës. Gjithashtu, kjo ka ndodhur edhe tek emri dhe mbiemri i personave të lartcekur. (shih fotografitë më poshtë)

Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet e dyshimta “lajme.buzz” dhe “specialja.com”:
Ky artikull është shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook nga faqet “Der Kosova Albaner” dhe “Specialja”, të cilat në këto postime kanë grumbulluar numër të madh komentesh e reagimesh. (shih këtu dhe këtu)
Është e vërtetë që Isa Mustafa gjatë karrierës së tij politike ishte pjesë e komunizmit, pasi ai në vitin 1984 u angazhua në funksionin e kryetarit të qeverisjes komunale komuniste në Prishtinë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1988. (shih këtu)
Por, pavarësisht kësaj, libreza e paraqitur nga portalet e dyshimta nuk i përket ish-kryeministrit Mustafa.
Analiza:
Portale të dyshimta kanë publikuar librezën e anëtarësimit të Lidhjes së Komunistëve – Lëvizja për Jugosllavinë, e cila i përkiste ish kryeministres së Kroacisë Jadranka Kosor.
Por, autori i këtij artikulli ka ndërhyrë në këtë librezë, duke hequr fotografinë, emrin dhe mbiemrin e Kosor-it, për ta zëvendësuar me ato të Isa Mustafës.
Pas verifikimit të fakteve, hybrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.