[email protected]
“Lista Serbe” pretendon rrejshëm se nënstacioni i ri i Policisë në Leposaviq do të përbëhet vetëm nga shqiptarët
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Pretendohet se nënstacioni i ri i Policisë së Kosovës në Soçanicë të Leposaviqit do të ketë përbërje me vetëm policë të etnisë shqiptare.

Pretendimin e ka ngritur subjekti politik serb në Kosovë, “Lista Serbe”, me anë të një njoftimi të publikuar (2 gusht) në faqen zyrtare në Facebook.

Megjithatë hibrid.info e ka trajtuar pretendimin pasi që në komunikatën e këtij subjekti, shqetësimi i ngritur nuk mbështetet në fakte dhe të dhëna konkrete.


Vegëza e komunikatës së publikuar në Facebook nga “Lista Serbe”:

https://archive.ph/eDxgJ

Për reagimin e “Listës Serbe” kanë raportuar edhe katër media në gjuhën serbe, të cilat kanë publikuar në portalet e tyra lajmet bazuar në këtë komunikatë (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).


Komunikata e “Listës Serbe” e përkthyer në gjuhën shqipe

“Në pamundësi për të hapur fabrika, autostrada, qendra inovacioni apo qendra moderne klinike-spitalore për qytetarët që e votuan, Kurti po hap një tjetër bazë policore ilegale ku do të punojnë shqiptarët, në Soçanicën e pastër serbe në komunën e Leposaviqit.

Marrëveshja e Brukselit, madje edhe kushtetuta e miratuar nga shqiptarët thotë qartë se në të gjitha komunat, edhe në ato me shumicë serbe, përbërja e njësive policore duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të popullsisë së asaj komune. Kurti, i cili pëlqen ta quajë veten respektues të shtetit ligjor dhe vartësi i tij Sveçla, sot hapën një tjetër bazë ilegale në një mjedis krejtësisht serb në veri të Kosovës dhe Metohisë.

Ky akt i paligjshëm synon të vazhdojë të nxehë tensionet në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe është një provokim tjetër që synon krijimin e kushteve të padurueshme për serbët, sepse kjo është e vetmja gjë që Kurti i ofron publikut shqiptar në këtë zonë.

Ai popullizëm shkon deri aty sa çdo ditë kemi një lloj provokimi në organizimin e partisë së Kurtit. Qëllimi është që të hapet një urë ilegalisht dhe pa pëlqimin e popullit serb, madje edhe në konflikt me ndërkombëtarët, deri në atë pikë sa i detyron aktivistët e saj dhe i financon publikisht që të vizitojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë, liqenin e Gazivodës ose Mitrovicën veriore.

Të gjitha premtimet e tij për një jetë më të mirë mbeten në letër, dhe zgjedhjet po vijnë, ndaj Kurti përpiqet të sjellë trazira në vend të paqes, intolerancë në vend të bashkëjetesës dhe në vend të punës, dhe një jetë më e mirë u ofron qytetarëve një urrejtje të paparë, patologjike ndaj gjithçkaje që është serbe. Megjithatë, ne besojmë se fqinjët tanë shqiptarët e shohin këtë shumë më mirë se ne dhe se çdo ditë e kanë të qartë se nga heqja e dinarit, mbyllja e bankave serbe, arrestimet e pabaza të serbëve të respektuar dhe të ndershëm, jeta e tyre nuk është dhe nuk do të jetë më mirë.”


Hibrid.info ka hulumtuar mbi pretendimin. Pas hulumtimit nuk janë gjetur të dhëna mbi përkatësinë etnike të policëve të punësuar në këtë nënstacion por, hibrid.info me anë të makinave të kërkimit ka gjetur një artikull ku është raportuar për hapjen e këtij nënstacioni, në prezencën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në bazë të deklaratës së kryeministrit Kurti të publikuar në këtë artikull “Policia këtu do të jetë multietnike” (shih këtu).

Citatet e Kryeministrit Albin Kurti shkëputur nga artikulli:

“Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni. Falënderoj si ministrin, Kryetarin e Komunës dhe Drejtorin e Policisë, po ashtu edhe operatorin ekonomik, punëkryesin i cili e ka përfunduar para afatit këtë riparim, renovim apo më saktë ta quajmë rindërtim me një investim të gjithmbarshëm prej 46 mijë e 400 euro”.

“Sot është një ditë e mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen. Paradite Policisë sonë i’u bashkëngjiten edhe 448 kadetë, ndërkaq tash këtu në mesditë po e bëjmë përurimin e këtij nënstacioni policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë”


Analiza:

“Lista Serbe” pretendon se nënstacioni i ri i Policisë së Kosovës në Soçanicë të Leposaviqit do të përbëhet me vetëm policë shqiptarë.

Por, deklarata e kryeministrit Albin Kurti, e hedh poshtë këtë pretendimin.

Andaj bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Dezinformatë” dhe “Teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »