info@hibrid.info
Narrativi politik nga Vuçiq e Petkoviq për pamundësinë e operimit të Policisë së Kosovës në veri
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Udhëheqësit e lartë politikë serbë nga Beogradi zyrtar, vazhdojnë ta përdorin në diskursin e tyre të shpeshtë, pothuajse, çdo zhvillim që ndodhë në veri të Kosovës, rajon ky i dominuar me banorë të komunitetit serb.

Hibrid.info ka trajtuar disa nga këto deklarata të bëra kohëve të fundit, përmes prizmit të analizës së narrativit. Forma e tillë e analizës është bërë duke e kuptuar se, deklaratat e këtyre përfaqësuesve politikë serbë, duket të jenë të koordinuara dhe shumë të ngjashme, të bëra herë-pas-here nga disa prej tyre, gjë që bënë të kuptohet se bëhet fjalë për një narrativ politik.

Narrativ politik është një term i përdorur në shkencat humane dhe politike për të përshkruar mënyrën në të cilën tregimi mund të formësojë faktet dhe të ndikojë në kuptimin e një realiteti objektiv apo subjektiv (shih këtu përshkrimin e kësaj teorie). Mesazhi i narrativit politik mund të komunikohet përmes teksteve, imazheve, metaforave dhe mjeteve të tjera. Narrativat gjithashtu ndihmojnë në transmetimin e një mesazhi duke krijuar një informacion tërheqës.

Në disa analiza të më hershme, hibrid.info ka trajtuar narrativat e fundit nga pushteti në Serbi e të transmetuara nga disa media të këtij shteti, që konsiderohen si të afërta me pushtetin.

Narrativat e analizuara më parë kishin për synim të “shtynin përpara” pretendime të pabazuara për “zbatimin e marrëveshjes fundit për kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë me letërnjoftime”, për “përgatitje të shqiptarëve për sulm ndaj serbëve në Kosovë”, “thirrjet e kryeministrit Kurti për luftë” apo “dëbimin e serbëve nga Kosova”.

Narrativi i fundit: Prishtina nuk ka të drejtë të dërgojë policinë në veri pa lejen e KFOR-it

Përfaqësuesit e lartë politikë në Serbi, operimin e njësiteve të Policisë së Kosovës në veri, në disa deklarata të tyre, e kanë quajtur si të paligjshëm dhe shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.

Ndër të parët ka qenë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili, në disa paraqitje publike të fund-muajit të kaluara e përmendi këtë pretendim.

Duke theksuar tensionet që ekzistojnë në Kosovë dhe Kosovë, presidenti Vuçiq tha se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët”, thoshte Vuçiq (shih këtu).

Përveç tij, të njëjtin pretendim, me formulim të ngjashëm, e bëri edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai përmes një njoftimi nga institucioni me të cilin udhëheqë pati pretenduar se, në bazë të një Marrëveshjeje të Brukselit, Policia e Kosovës nuk mund të operojë në veri të Kosovës pa pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët (shih këtu)

Përsëritja e këtij narrativi

I njëjti narrativ u përdor në disa raste nga këta dy politikanë serbe. Së fundmi rifilloi së përdoruri edhe këto, por tash kryesisht e ri-sjellë vetëm nga Petkoviqi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për emisionin “DPT te Fidan Jupolli” në televizionin “t7” të bërë në mesnatën e së enjtes (8 shtator) tha se kanë ndërtuar disa baza policore në pjesën veriore të Kosovës, përfshi zonën kufitare.

https://www.facebook.com/t7videos/videos/575814254286038/

Menjëherë pas kësaj deklarata, Petkoviq përsëriti këtë pretendim të pavërtetë se Prishtina zyrtare po e shkel marrëveshjen Brukselit me ndërtimin e bazave policore në veri dhe po merr në mënyrë të paligjshme përgjegjësitë e KFOR-it (shih këtu trajtimin nga hibrid.info)

Shpërndarja e këtij narrativi edhe nga mediat e afërta me pushtetin

Ky pretendim i bërë nga Petkoviq është publikuar në mënyrë të pakonfirmuar edhe nga disa nga mediat që njihen si të afërta me pushtetin në Serbi (shih këtu).

Këto media e kanë publikuar këtë pretendim të Petkoviqit duke i vënë tituj tendencioz dhe përmbajtje të pa verifikuar (shih publikimet në këto media këtu, këtu dhe këtu)

Pse ky narrativ nuk është i vërtetë?

Insistimi i këtyre përfaqësuesve të lartë serbë se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë ligjore të operojë në veri të Kosovës, del të jetë i pavërtetë.

Në deklaratat e tyre ata thirren në Marrëveshjen e Brukselit, që duke të jetë ajo për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur 19 prill të vitit 2013 mes dy kryeministrave të atëhershëm të Kosovës, respektivisht Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, (këtu) që e parasheh më në detaje funksionimin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në këtë marrëveshje, e cila ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 (këtu), funksionimi i Policisë së Kosovës parashihet:

“Në Kosovë do të ketë një forcë policore, e quajtur Policia e Kosovës. E tërë policia në Kosovën veriore do të integrohen në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të jenë vetëm nga PK-ja. 8. Pjesëtarëve të strukturave tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohet vend në strukturat ekuivalente të Kosovës”. (shih pikën 7 të dokumentit të kësaj marrëveshje të rartifikuar këtu)

Pra, sipas kësaj marrëveshje të nënshkruar edhe nga vetë i pari i Qeverisë së Serbisë, pjesë e së cilës ishte edhe presidenti aktual Vuçiq si zëvendëskryeministër i parë (këtu), parashihet që Policia në Kosovën veriore të integrohet në kuadër në kornizën e Policisë së Kosovës. Ndërsa, ky dokument nuk përmban detaje rreth mënyrë së funksionimit të saj në veri.

Hibrid.info e shqyrtoi edhe Ligjin për Policinë e Kosovës për ta vërtetuar nëse deklarata e këtyre dy zyrtarëve serbë qëndron, pasi që operimi i këtij institucioni të sigurisë në Kosovës rregullohet vetëm sipas këtij ligji përkatës. Sipas nenit 4, pika 3 e Ligjit Për Policinë, thuhet se “Policia vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës” (shih ligjin këtu), duke mos e bërë ndonjë veçim rajonal.

Edhe pretendimin se përgjegjës për sigurinë në veri është vetëm KFOR, nuk qëndron. Marrëveshja e 19 prillit 2013 mes ish-sekretarit gjeneral të NATO-s , Anders Fogh Rasmussen dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, të dy këta në pozitë gjatë asaj kohe, është vetëm për kufizimin e operimit të FSK në veri të Kosovës, pa lejen e KFOR-it, dhe jo Policisë së Kosovës (këtu).

Share With Others

Translate »