info@hibrid.info
Përmbajtja e pa verifikuar, shkak në përhapjen e dezinformatave
shape
shape
shape

Përmbajtja e pa verifikuar i referohet informacionit ose pretendimeve që nuk janë verifikuar ose kontrolluar nga burime të besueshme para se të publikohet. Prandaj, vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur t’i konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme. Kjo përmbajtje mund të përmbajë pretendime e spekulime të ndryshme dhe mund të përhapet përmes mediumeve të ndryshme, të tilla si media sociale, artikuj lajmesh ose video.

Përmbajtja e pa verifikuar mund të jetë problematike sepse mund të përmbajë informacione të rreme ose mashtruese. Pa verifikim, mund të jetë e vështirë të dihet nëse informacioni është i vërtetë apo jo. Kjo mund të çojë në përhapjen e thashethemeve dhe dezinformatave, të cilat mund të kenë pasoja të rënda, siç janë gërryerja e besimit te institucionet, përhapja e frikës dhe panikut dhe nxitja e dhunës.

Për të shmangur përhapjen e përmbajtjes së pa verifikuar, është e rëndësishme që të vlerësohen me kujdes burimet e informacionit dhe të kërkohet vërtetimi nga burime të besueshme. Organizatat që kontrollojnë faktet mund të jenë një burim i dobishëm për verifikimin e informacionit dhe është gjithashtu një ide e mirë të kërkoni burime të shumta për të konfirmuar saktësinë e informacionit. Kur hasni në përmbajtje të pa verifikuar, është mirë t’i qaseni me skepticizëm dhe të mos gjykoni derisa informacioni të verifikohet.

Karakteristikat e përmbajtjes së pa verifikuar mund të ndryshojnë, por disa tipare të zakonshme përfshijnë:

Mungesa e burimeve të besueshme: Përmbajtja e pa verifikuar shpesh nuk ka burime të besueshme ose referenca për të mbështetur pretendimet e bëra. Mungesa e burimeve të besueshme e bën të vështirë verifikimin e saktësisë së informacionit. P.sh. Agjencia e lajmeve ruse Sputnik ka publikuar një artikull me titull “ U hodhën 37,000 bomba thërrmuese dhe 15 ton uranium: Dita e fillimit të agresionit të NATO-s kundër RF të Jugosllavisë”.  Pas verifikimit është vërtetuar se artikulli nuk bazohet në fakte ku i njëjti pretendim bie ndesh me burime kredibile. (këtu)

Pretendime sensacionale ose të ekzagjeruara: Përmbajtja e pa verifikuar mund të përmbajë pretendime të bujshme ose të ekzagjeruara që kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen ose të gjenerojnë klikime, pa asnjë provë për t’i mbështetur ato. P.sh. Në mediat në gjuhën shqipe është publikuar një fotografi me mbishkrimin “minatorët e Trepçës gjatë kohës së syfyrit, në horizontin e nëntë, thellësia mbi 800 metra”. Pas verifikimit është vërtetuar se imazhi nuk paraqet minatorët e Trepçës, por se fotografia është realizuar diku, në një minierë në Turqi. (këtu)

Gjuhë e paqartë ose e pasaktë: Përmbajtja e pa verifikuar mund të përdorë gjuhë të paqartë ose të pasaktë që është e hapur për interpretim, duke e bërë të vështirë përcaktimin e saktësisë së informacionit. P.sh. “Kompania britanike njofton se në dalje të Prishtinës janë 640 mijë tonelata ari”, janë titujt e publikuar në disa media, në artikujt e së cilave paraqiten gjetjet e një hulumtimit të kompanisë britanike për hulumtimin e minierave “Western Tethyan Resources”. Pas verifikimi të fakteve është gjetur se nuk bëhet fjalë për 640 mijë tonelata ari, por minerale me potencial ekstraktimi të arit dhe jo ari i pastër. (këtu)

Mungesa e kontekstit: Përmbajtjes së pa verifikuar mund t’i mungojnë informacionet e rëndësishme të kontekstit ose sfondit që nevojiten për të kuptuar plotësisht situatën ose çështjen që diskutohet. P.sh. Në një medium në gjuhën shqipe është publikuar një artikull me titull, “Analisti Turk habit gjithë botën me veprimin e tij, nxjerr flamurin shqiptar në emision, këta janë…!”, ku thuhet se analisti turk, ka shprehur hapur dashurinë për shqiptarët dhe për triumfet e shqiptarëve si popull gjithandej. Pas verifikimit të fakteve është gjetur se analisti turk flet për suksesin e kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2016. (këtu)

Share With Others

Translate »