Postime të rreme ose mashtruese janë përhapur në mediat sociale në lidhje me votimin për president të SHBA-ve, në kohën kur Trump vazhdon të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.
Disa janë shpërndarë nga Presidenti Trump dhe ekipi i tij, të cilët kanë vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve, por pa siguruar prova.
Ekipi i BBC për kontroll të fakteve (cfact-checking) ka kontrolluar disa nga pretendimet kryesore, të cilat i sjellim në vazhdim.
Njerëzit e vdekur nuk mund të votojnë: Demanti i thashethemet në Michigan
Disa cicërima virale në Twitter të bëra nga ekipi i presidentit amerikan, Donald Trump, pretendojnë se në shtetin e Michigan-it në SHBA është votuar me emra të personave që nuk jetojnë më.
Mirëpo, autoritetet e Michiganit kanë reaguar, duke i quajtur thashethemet “keqinformim” – dhe duke shtuar se votat nga njerëzit e vdekur nuk pranohen nga sistemi zgjedhor.
Në njërin nga postimet përmendet rasti i një qytetari, i cili kishte emrin e njëjtë me babanë e vet të ndjerë, votues në këtë shtet amerikan. Në këtë rast pretendimi është bërë duke u munduar t’i përziej identitetet e këtyre dy personave me qëllim që ta paraqes një të vërtetë të fabrikuar, kinse vota është e babait të ndjerë. Mirëpo, zyrtarët lokalë në Michigan i thanë faqes kontrollit të fakteve Polifact se votimi i djalit i ishte atribuar gabimisht babait në sistemin zyrtar të votimit.
Thashethemet janë përsëritur nga llogari me ndikim, duke përfshirë ato të djalit të presidentit Don Jr – i cili natyrisht gjithashtu ndan një emër me babanë e tij – dhe udhëheqësit të Partisë Brexit Nigel Farage.
Asnjë provë për probleme me softuerin kompjuterik në Michigan
Postimet po shpërndahen gjerësisht në internet me pretendimin për një gabim në programin e numërimit të votave të përdorur në Michigan, i cili çoi në zhvlerësimin e mijëra fletëvotime të hedhura për Donald Trump, duke u numëruar për kandidatin tjetër, Joe Biden.
Pretendimet janë shpërndarë edhe në kanalin e presidentit Trump në Twitter dhe të senatorit republikan, Ted Cruz.
Në fakt, ekzistonte një problem në një qark ku votat fillimisht raportoheshin gabimisht për Biden, por sekretarja e shtetit të Michiganit, Jocelyn Benson tha se “problemi u identifikua dhe u korrigjua shpejt”.
Benson shtoi se gabimi fillestar ishte një gabim njerëzor dhe jo softuerik.
Në postimet tjera thuhej se i njëjti gabim ka ndodhur edhe në 47 qendra tjera të numërimit, brenda këtij shteti amerikan.
Mirëpo, sipas Benson “nuk ka asnjë provë që ky gabim i përdoruesit ka ndodhur diku tjetër në shtet”.
Fletëvotimet me marker numërohen në Arizona
Disa postime në rrjete sociale pretendojnë se në fletëvotime të republikanëve në shtetin e Arizonës, janë shënjuar me marker, për ta pamundësuar numërimin e tyre.
Mirëpo, sipas CNN, zyrtarët e qarkut të Maricopa-s në Arizona, e kanë cilësuar këtë pretendim si të rremë, duke thënë se shënjimi me marker, nuk pengon numërimin e fletëvotimeve.
Sekretarja e shtetit e Arizonës, Katie Hobbs, konfirmoi në Twitter se nëse votoni personalisht “vota juaj do të numërohet, pa marrë parasysh se çfarë lloj stilolaps keni përdorur”.
Harta e gabuar e votimit në Michigan
Një hartë e votimit në Michigan nga nata e zgjedhjeve – e cila tregon një rritje të papritur prej rreth 130,000 votash për Joe Biden, por asnjë për Z. Trump – është bërë virale në mediat sociale.
Presidenti Trump ka postuar në Twitter imazhin, i cili po ngre spekulime rreth mashtrimit të votuesve.
Por, shpjegimi është i thjeshtë – ishte një gabim i futjes së të dhënave që më vonë u korrigjua.
Decision Desk, faqja në internet për monitorimin e zgjedhjeve, e cila krijoi hartën, tha: “Ishte një gabim i thjeshtë nga një skedar i krijuar nga shteti… shteti vuri re gabimin dhe prodhoi një rezultat të azhurnuar”.
Wisconsin nuk kishte më shumë fletëvotime sesa votues të regjistruar
Ka pasur pretendime të rreme të përhapura në rrjete social, sipas të cilave thuhet se në Wisoconsin pati më shumë fletëvotime sesa votues të regjistruar.
Një përdorues shkroi në Twitter: “Wisconsin ka më shumë vota sesa votues të regjistruar. Numri total i votuesve të regjistruar: 3,129,000. Numri total i votave të hedhura: 3,239,920. Kjo është provë e drejtpërdrejtë e mashtrimit”.
Mirëpo, kjo shifër e votuesve të regjistruar është vërtetuar se është e vjetër, me qenë se ky numër është rritë para zgjedhjeve në SHBA. Numri i votuesve në këto zgjedhje të paraqitur më 1 nëntor ka qenë 3,684,726.
Pas këtij fakti, postimet me këtë pretendim janë fshirë, mirëpo disa përdorues të rrjeteve sociale e kanë ruajtur atë si imazh, duke e shpërndarë edhe pas demantit.