[email protected]
Pretendohet pa fakte se mbishkrimet “UÇK” dhe “Faton Hajrizi” janë bërë nga “ekstremistët shqiptarë” si kërcënim për dëbim të serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U raportua se në murin e një shtëpie të një familje serbe në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, është shkruar emri i Faton Hajrizit, i cili dyshohet se u vra në Serbi, si dhe akronimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një njoftimi lidhur me këtë ngjarje, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS), pretendon se kjo vepër “kuptohet si kërcënim për serbët e mbetur, si në Gojbulë, ashtu edhe në tërë Kosovën” si dhe paraqitet si “fushatë e sinkronizuar e ekstremistëve shqiptarë për dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre me kërcënime të tilla”.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ZKQS nuk jep asnjë fakt në lidhje me pretendimet e bëra në këtë njoftim dhe se ende nuk dihen kryesit dhe qëllimi i kësaj vepre.


Vegëza e njoftimit të ZKQS-së në Facebook:

https://archive.ph/ANS5S


Pjesë nga njoftimi i ZKQS-së në Facebook, i përkthyer në shqip:

Ky glorifikim i një organizate terroriste dhe sidomos terroristit që kohët e fundit bëri një festë të përgjakshme në Loznicë, sjell në këtë situatë shumë të ndjeshme sigurie për serbët në Kosovë pa pushim shtesë dhe paqartësi për jetën e mëtejshme në krahinë.

Dhe ky shembull tregon se në zonën e Kosovës nga ekstremistët shqiptarë haptazi festohet krimi i terroristit trashëgimtar, dhe shkrimi i emrit të tij në shtëpinë serbe nuk mund të kuptohet ndryshe përveç se si kërcënim për serbët e mbetur, si në Gojbulë, ashtu edhe në tërë Kosovën.

Është e qartë se ky nuk është rast i izoluar, por fushatë e sinkronizuar e ekstremistëve shqiptarë për dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre me kërcënime të tilla të hapura, me çdo kusht, dhe të gjitha nën shkopin e Albin Kurtit, i cili është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan, për shkak të fiksimit të tij për të zhdukur ekzistencën serbe në Kosovë.


Çka dihet deri tani lidhur me këtë vepër?

Hibrid.info pas hulumtimit të kryer, ka gjetur deklaratën e zëdhënësit të Policisë së Kosovës (PK) për Jug, Avni Zahiti, lidhur me këtë ngjarje.

“Lidhur me pyetjen tuaj për mbishkrimin në fshatin Gojbulë, ju njoftoj se sot më 28.07.2024 policia në Vushtrri ka vepruar në lidhje me rastin, ndërsa me autorizimin e prokurorit është iniciuar rasti kundërvajtës “vandalizëm” dhe rasti është duke u hetuar”, tha ai për mediumin në gjuhën serbe “Kossev.info”. (shih këtu)


Njoftimi i ZKQS-së, zuri vend edhe në disa media në gjuhën serbe, të cilat po ashtu për pretendimet e bëra nuk ofruan fakte që do t’i mbështesnin ato. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Përveç ZKQS-së, lidhur me këtë mbishkrim ka reaguar edhe Lista Serbe përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook. Ky subjekt politik, këtë mbishkrim e ndërlidhë pa fakte duke e cilësuar si “narracion antiserb” i regjimit të Albin Kurtit. (shih këtu)

Pjesë nga njoftimi i Listës Serbe në Facebook, i përkthyer në shqip:

Për të frikësuar popullin serb në komunën e Vushtrrisë, mbrëmë në shtëpinë e familjes Gjurkoviq nga fshati Gojbulë, është shkruar emri i kriminelit Faton Hajrizi që vrau policin Nikolla Krsmanoviq në Loznicë.

Shtypja e këtij grafiti ilustron më së miri gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilët janë helmuar nga narracioni antiserb i regjimit të Albin Kurtit, i cili kërkon të mbulojë të gjitha dështimet dhe disfatat politike me urrejtje dhe persekutim të serbëve.


ZKQS edhe në të kaluarën ka njoftuar në lidhje me mbishkrime të tilla, për të cilat pa fakte ka pretenduar se janë bërë si qëllim për të kërcënuar dhe dëbuar serbët nga vendbanimet e tyre në Kosovë.

Hibrid.info ka trajtuar këto përmbajtje duke i cilësuar si “teori Konspirative”, “dezinformatë”, “përmbajtje e paverifikuar” e “raportim i njëanshëm”. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Kjo zyrë dhe shefi i saj, Petar Petkoviq, vazhdojnë ta përdorin në diskursin e tyre të shpeshtë me pretendimin se “po synohet dëbimi i serbëve nga vendbanimet e tyre në Kosovë”. Ky narrativ po përdoret zakonisht në ngjarje e zhvillime në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, si rastet me mbishkrime “UÇK” në tabelat e vendbanimeve me shumicë serbe, apo edhe dëmtime të varrezave të komunitetit serb. (shih këtu)


Analiza:

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një fotografi ku shihet mbishkrimi i akronimit të  “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) dhe emri i Faton Hajrizit, i vendosur murin e një shtëpie të një familje serbe në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë.

Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyrë ka krijuar një teori të pa bazuar në asnjë fakt se kjo është bërë si rrjedhojë e kërcënimit për serbët e mbetur, si në Gojbulë, ashtu edhe në tërë Kosovën, si dhe duke e quajtur “fushatë e sinkronizuar e ekstremistëve shqiptarë për dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre me kërcënime të tilla”.

Ngjashëm me ZKQS, ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila përmes një njoftimi në Facebook, pa ofruar asnjë fakt, e cilëson këtë vepër si “narracion antiserb” i regjimit të Albin Kurtit.

Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërtetuar se ende nuk dihen kryesit dhe qëllimi i kësaj vepre. Ndërsa zëdhënësi i PK-së për Jug, Avni Zahiti, ka deklaruar se rasti është nën hetime dhe i njëjti është iniciuar si “vandalizëm”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar pretendimin e bërë nga ZKQS dhe Lista Serbe si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406