[email protected]
Rishikimi i javës: Teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe se Kurti po ia ofron Vatikanit kishat ortodokse, përmbajtje të paverifikuara me pretendime për armatosjen e FSK-së
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Përmbajtjet e paverifikuara dhe ato mashtruese janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Të gjitha përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në media sociale. Dy nga këto kishin të bënin me pretendimet për armatosjen e FSK-së me armë të ndryshme. Në një publikim në media sociale, përmes tri fotografive u pretendua se pamjet paraqesin bombardimet që po ndodhin aktualisht në Rafah në Rripin e Gazës. Në media sociale janë publikuar fotografi të Milan Radoiçiqit të armatosur pranë bustit të “Car Lazarit” në Mitrovicë, së paku njëra nga fotografitë e publikuara më 28 maj nuk është realizuar në vitin 2023, siç pretendohet.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale me pretendimet, se disa ushtarë mbajnë flamurin kombëtar shqiptar pranë atij izraelit; se aktori, Mel Gibson, parasheh fundin e Izraelit; se do të sigurohet energji diellore falas nga Qeveria e Kosovës për personat mbi 45 vjeç; imazhi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, se Mërgim Lushtaku, mbrapa tij në një fotografi, ka të vendosura imazhet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, gjatë momenteve të shkëmbimeve verbale afër liderëve serb, Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq, ndërsa njëra nga fotografitë, tregon momentin e takimit të Thaçit, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Raportohet gabimisht si aktual lajmi i arratisjes së një personi nga burgu i Gjilanit.

Teoritë konspirative janë publikuar nga mediat në gjuhën serbe me pretendime të pabaza se shqiptarët kanë hedhur granatë në shtëpinë e një familje serbe në fshatin Mogillë; se kryeministri Albin Kurti po ia ofron Vatikanit kishat ortodokse; se Kurti ka kërcënuar me luftë 47 herë brenda shtatë ditësh e se jeta e serbëve në Kosovë po bëhet më e padurueshme ditë pas dite.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative me pretendimet në titull se “personat që nuk morën pjesë në regjistrim të popullsisë, nuk do të mund të marrin shërbime nga shteti” dhe se “Erdogan mbush Kosovën me armë, vizita e Kurtit në Turqi dhe marrëveshjet e firmosura”.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale me pretendimin se Italia i ka ofruar për blerje helikopterë Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK); se krimet në Kosovë, janë rritur për 80%, duke iu referuar mediave britanike.

Dezinformata është publikuar në media në gjuhën serbe ku përmes një imazhi në të cilin shfaqet Savo Manojloviq, kandidat për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale në Beograd, pretendohet se ajo foto u shkrep në vitin 2015 dhe se gruaja që shihet krah tij është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Gabim

Është publikuar një artikull, i titulluar “Arratiset një person nga burgu i Gjilanit”. Lajmi është publikuar nga portali i Radio Star, “radiostargjilan.com”, më 17 maj të këtij viti . Pas verifikimit nga hibrid.info, është gjetur se bëhet fjalë për një person të arrestuar, i cili ishte arratisur në korrik të vitit 2023. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pa u mbështetur në fakte, ka pretenduar se shqiptarët kanë hedhur granatë në shtëpinë e një familje serbe në fshatin Mogillë. Kjo komunikatë u publikua edhe nga disa media në gjuhën serbe. Mediumi “Kurir.rs” në artikullin lidhur me këtë ngjarje thotë se kryefamiljari i familjes Gjuziq, për këtë ngjarje ka njoftuar edhe policinë. E në një njoftim pas trajtimit të këtij pretendimi nga hibrid.info, Policia e Kosovës ka treguar se bëhet fjalë për një mjet shpërthyes që dyshohet se është që nga paralufta. (këtu)

E përditshmja në gjuhën serbe “Politika.rs” ka publikuar një artikull më 27 maj me titullin “Kurti ia ofron Vatikanit tempujt serbë në Kosovë”. Artikulli i gazetës bazohet kryesisht në deklarimet e Aleksandar Rakoviqit, nga Instituti për Historinë e Re të Serbisë dhe të ish-gazetarit e politikanit Ratko Dmitroviq. Përkundër pretendimit në titull se kryeministri Albin Kurti po ia ofron Vatikanit kishat ortodokse, burimet e përdorura në artikull nuk ofrojnë asnjë fakt konkret për të mbështetur këtë pretendim. (këtu)

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar me luftë 47 herë brenda shtatë ditësh e se jeta e serbëve në Kosovë po bëhet më e padurueshme ditë pas dite. Pretendimi i titullit të mediumit në gjuhën serbe, “alo.rs”, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërcënuar me luftë është i pabazë. Kryeministri Kurti ka thënë se ka rrezik të mundshëm duke ia atribuuar këtë armatimit të shpejtë të Serbisë dhe jo se Kosova e kërcënon dikë me luftë. (këtu)

Clickbait

Është pretenduar përmes titullit se “Personat që nuk morën pjesë në regjistrim të popullsisë, nuk do të mund të marrin shërbime nga shteti”. Pas verifikimit del se titulli është nxjerrë nga një deklaratë e shefit të ASK-së, Avni Kastrati, por që, sipas përmbajtjes në artikuj, nuk e ka thënë si gjë të përfunduar, por ka shtuar se kjo mund të ndodhë nëse merren praktikat e shteteve të tjera. Për më shumë, në konferencën e mbajtur, Kastrati ka deklaruar se kjo mund të vlejë në “disa” institucione dhe se “nuk është i sigurt nëse krejt institucionet do të jenë strikte”. (këtu)

“Erdogan MBUSH Kosovën me armë, vizita e Kurtit në Turqi dhe marrëveshjet e firmosura” mban titullin një artikull i publikuar më 1 qershor nga portali informativ në gjuhën shqipe “ntv.al”. Në tekstin e artikullit, që flet për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Turqi dhe takimin me presidentin Recep Tayyip Erdogan, nuk përmendet ndonjë marrëveshje e konkretizuar që Kosova të furnizohet me armë nga Turqia. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes disa imazheve u pretendua se pamjet paraqesin armatimin që pritet t’i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Imazhet u publikuan në TikTok nga llogaria “netti29” me datë 10 maj me mbishkrimin “Armatimi qe pritet ti bashkohet ushtris se Kosoves”. Në këto fotografi shihet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci afër disa armëve. Hibrid.info pas kontrollit të fakteve, vërtetoi se fotografitë janë marrë nga llogaria zyrtare e ministrit Maqedonci në Facebook, të shkrepura gjatë forumit Defence24 që u mbajt në Poloni, por që i njëjti nuk ka potencuar se këto armë pritet t’i shtohen FSK-së. (këtu)

Janë publikuar fotografi të Milan Radoiçiqit të armatosur pranë bustit të “Car Lazarit” në Mitrovicë të Veriut, i rrethuar nga persona tjerë të armatosur, për të cilët pretendohet se janë anëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë. Imazhet e publikuara më 28 maj, në rrjetin social “X” (ish-Twitter) nga llogaria me emrin “Fitim Çeku”, pretendohet se janë shkrepur në vitin 2023. Autori i publikimit ngre pikëpyetje se si ishte lejuar hyrja e Radoiçiqit në këtë kohë në Kosovë, kur dihej se autoritetet në Kosovë kishin lëshuar një urdhërarrest për të njëjtin, pas dyshimeve për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale” në rastin Brezovica. Ndryshe nga pretendimi i kësaj llogarie në “X”, hibrid.info ka gjetur se së paku njëra nga fotografitë e publikuara më 28 maj nuk është realizuar në vitin 2023. (këtu)

Përmes një video-materiali po pretendohet se Kosova ka shprehur interesim për armatimin që shfaqet në pamje. Videoja me titull “Kosova tregon interesim per keto lloj armesh ne panairin e armeve ne Katar”, u publikuar me datë 9 mars në Youtube nga kanali “DARDANIAN EAGLE”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografitë janë marrë nga panairi i ekspozimit të teknologjive më moderne dhe më të avancuara të të gjitha llojeve të armatimit, të mbajtur në Doha. (këtu)

Përmes tri fotografive po pretendohet se pamjet paraqesin bombardimet që po ndodhin aktualisht në Rafah në Rripin e Gazës. Fotografitë me këtë pretendim u publikuan me datë 28 maj në Facebook nga disa llogari si “Neki Gorçe”, “Izet Laçi” dhe “Remzi Alim”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhet janë të vjetra dhe të njëjtat nuk paraqesin gjendjen aktuale në Rafah. (këtu)

Mashtrim

Në nëntor të vitit të kaluar, “reuters.com” e kishte trajtuar një postim që pretendonte për një deklaratë të aktorit, Mel Gibson, në lidhje me shtetin izraelit. Deklarata e njëjtë, në të cilën pretendohet se aktori parasheh fundin e Izraelit, është publikuar edhe në gjuhën shqipe. Hibrid.info e ka gjetur pretendimin e publikuar (18 maj) në Facebook, nga llogaritë me emrat “Mesxhid El Aksa” dhe “Mesxhid Al Aksa”. Hibrid.info e ka gjetur se pretendimi mbi e deklaratën e aktorit, është i pasaktë. (këtu)

Është publikuar imazhi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtakut, ku mbrapa tij, duken të vendosura fotografitë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, gjatë momenteve të shkëmbimeve verbale afër liderëve serb, Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq, ndërsa njëra nga fotografitë, tregon momentin e takimit të Thaçit, me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky imazh është publikuar më 28 maj, në TikTok nga llogaria “fatmir764”. Hibrid.info ka gjetur se në imazhin e publikuar në TikTok, ka ndërhyrje, të cilat në bazë të komenteve në këtë përmbajtje, mund të ndikojnë që pamja e shfaqur të merret si e vërtetë. (këtu)

Publikohet një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, në mbishkrimin e së cilës, pretendohet se do të sigurohet energji diellore falas nga Qeveria e Kosovës për personat mbi 45 vjeç. Kjo vegëz është publikuar më 30 maj nga një faqe me emrin “Solar kit”, në Facebook dhe është shpërndarë në më shumë se 10 raste, deri në momentin e trajtimit. Por, hibrid.info ka gjetur se pretendimi në fjalë është mashtrim. (këtu)

Nëpërmjet fotografive është pretenduar se disa ushtarë mbajnë flamurin kombëtar shqiptar pranë atij izraelit. Llogaria me emrin “katoliku.patriot” në TikTok në disa postime të ngjashme ka marrë dhjetëra mijëra shikime, mijëra pëlqime e qindra komente. Më 30 maj kjo llogari ka publikuar një videomaterial të përbërë nga tri fotografi të disa ushtarëve që mbajnë në duar flamujt kombëtarë shqiptarë dhe ata izraelitë. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se fotografitë e publikuara nga kjo llogari në TikTok janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. (këtu)

Lajm i rremë

Po pretendohet se Italia i ka ofruar për blerje helikopterë Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK). Ky pretendim u publikua nga kanali “DARDANIA EAGLE” në Youtube dhe nga llogaria në TikTok me emrin “teamkosovo2”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se pamjet janë marrë nga faqja zyrtare e FSK-së në Facebook, përmes së cilës ky institucion shkroi se “Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtim (QNTKSH), ka qëndruar për vizitë delegacioni nga Forcat e Armatosura Italiane i udhëhequr nga nënkolonel Marco Mascari instruktor pilot”. Pra, në asnjë rast nuk thuhet se shteti italian i ka ofruar për blerje FSK-së helikopterët “Agusta Westland”. (këtu)

Është gjetur i publikuar një imazh që tregon një artikull ku pretendohet se krimet në Kosovë, janë rritur për 80%, duke iu referuar mediave britanike. Imazhi është publikuar më 29 maj në TikTok, nga një llogari me emrin “azempajaziti”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë raportim në lidhje me këtë çështje nga mediat britanike si dhe raportet vjetore të Policisë së Kosovës, në bazë të rasteve të vlerësuara si vepra penale, nuk tregojnë për rritjen e pretenduar të krimeve në këtë periudhë. (këtu)

Dezinformatë

Përmes një imazhi në të cilin shfaqet Savo Manojloviq, kandidat për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale në Beograd, pretendohet se ajo foto u shkrep në vitin 2015 dhe se gruaja që shihet krah tij është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Kjo fotografi me këtë pretendim u publikua me datë 25 maj nga një llogari në gjuhën serbe në X (ish-Twitter) që mban emrin “Ledeni”. Ky postim nga kjo llogari me të njëjtin pretendim zuri vend edhe në mediumet serbe “Alo.rs”, “24sedam.rs” dhe “Sd.rs”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, vërehet se gruaja në atë fotografi nuk përngjan aspak me Bogujevcin, si dhe krahasimi i fotografisë të vitit 2015 të nënkryetares së Kuvendit, tregon se ngjashmëria mes saj dhe gruas së panjohur deri më tani në foto me Manojloviqin është shumë e vogël. (këtu)

Share With Others

Translate »