[email protected]
Titulli çorientues lë të nënkuptojë se është arritur marrëveshje për furnizim me armë nga Turqia
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

“Erdogan MBUSH Kosovën me armë, vizita e Kurtit në Turqi dhe marrëveshjet e firmosura” mban titullin një artikull i publikuar më 1 qershor nga portali informativ në gjuhën shqipe “ntv.al”.

Çfarë nuk shkon me këtë artikull?

Në tekstin e artikullit, që flet për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Turqi dhe takimin me presidentin Recep Tayyip Erdogan, nuk përmendet ndonjë marrëveshje e konkretizuar që Kosova të furnizohet me armë nga Turqia.


Vegëza e artikullit të publikuar në “ntv.al”:

https://archive.is/5Fj4i

Artikulli në përmbajtje përmend qëndrimet e zyrtarëve për interes të rritjes së vëllimit të tregtisë mes Turqisë dhe Kosovës dhe zhvillimit të marrëdhënieve në shumë fusha, e sidomos në industrinë e mbrojtjes. Por nuk përmendet ndonjë marrëveshje për armë.


Pjesë të artikullit të publikuar:

“Presidenti Erdogan tha në takim se fokusi është rritja e vëllimit të tregtisë mes Turqisë dhe Kosovës, e cila është afër 750 milionë dollarë, në mbi 1 miliardë dollarë dhe se ka potencial për zhvillimin e marrëdhënieve në shumë fusha, veçanërisht në industria e mbrojtjes. Sipas një deklarate nga presidenca, Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe se priten hapa nga Kosova, veçanërisht në fushën e luftimit të terrorizmit.

Kryeministri Albin Kurti, pas takimit me Erdoganin, ka shkruar në platformën “X” se janë diskutuar mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe atë të mbrojtjes. Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në të gjitha fazat e ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës, si dhe për mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Kosovës”


Në komunikatën zyrtare të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për takimin me Erdoganin nuk është përmendur arritja e ndonjë marrëveshjeje për armatim. Është thënë se është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes. (shih këtu)

Ndërsa në njoftimin e zyrës për komunikim të Presidencës në Turqi nuk përmendet çështja e armatimit. (shih këtu)


Analiza:

Portali informativ në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Erdogan MBUSH Kosovën me armë, vizita e Kurtit në Turqi dhe marrëveshjet e firmosura”.

Titulli i artikullit në fjalë nuk korrespondon me përmbajtjen e vetë artikullit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406