[email protected]
“Politika.rs” konspiron se Kurti ia ka ofruar Vatikanit tempujt serbë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

E përditshmja në gjuhën serbe “Politika.rs” ka publikuar një artikull më 27 maj me titullin “Kurti ia ofron Vatikanit tempujt serbë në Kosovë”.

Artikulli i gazetës bazohet kryesisht në deklarimet e Aleksandar Rakoviqit,nga Instituti për Historinë e Re të Serbisë dhe të ish-gazetarit e politikanit Ratko Dmitroviq.

Përkundër pretendimit në titull se kryeministri Albin Kurti po ia ofron Vatikanit kishat ortodokse, burimet e përdorura në artikull nuk ofrojnë asnjë fakt konkret për të mbështetur këtë pretendim.


Vegëza e artikullit të publikuar në “politika.rs”:

https://www.politika.rs/sr/clanak/616545/Kurti-nudi-Vatikanu-srpske-hramove-na-KiM (archive)

Ky artikull ka zënë vend në ballinën e gazetës së 27 majit, si dhe është shpërndarë edhe nga media tjera në gjuhën serb dhe kanale në Telegram. (këtu, këtu, këtu, këtu)  


Artikulli i gazetës me pretendimin në titull mbështetet kryesisht në thëniet e Aleksandar Rakoviqit nga Instituti për Historinë e Re të Serbisë dhe ish-gazetarit dhe politikanit Ratko Dmitroviq.

Rakoviq shpreh shqetësim për pozicionin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, por nuk ofron prova për akuzat se Kurti ka propozuar dorëzimin e kishave serbe Vatikanit. Rankoviq përmend tekste që pretendojnë se faltoret serbe janë ngritur mbi rrënojat katolike, por nuk jep detaje për publikimet ose lidhjen e tyre me vendimet e qeverisë së Kosovës. As Rakoviq, as gazeta “Politika” nuk ofrojnë informacion shtesë për këto pretendime.

Në një pjesë të tekstit, Rakoviq pretendon se “hierarkia katolike romake ka qenë prej kohësh truri në Kosovë dhe Metohi i të gjitha operacioneve që synojnë marrjen e manastireve dhe kishave ortodokse,” por ai nuk ofron asnjë provë për këto pretendime. Për më tepër, asnjë deklaratë zyrtare nga qeveria e Kosovës apo Vatikani nuk u citua.

Në lidhje me këto pretendime dhe statutin e Kishës Ortodokse Serbe, Plani i Ahtisaarit, mbi të cilin është përpiluar edhe Kushtetuta e Kosovës, e mbron Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe pronat e saj. Kështu shkruhet në Kapitullin 2, Pikën 6 të Pakos së Ahtisaarit.

“[…] sigurimi i ekzistencës dhe operimit të pakufizuar dhe të papenguar të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizatat e saj të brendshme do të njihen zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës, prona e saj do të jetë e paprekshme dhe do të gëzojë privilegje në taksa dhe detyrime doganore. Zonat e mbrojtura do të krijohen në më shumë se 40 hapësira religjioze dhe kulturore kyçe. Pa paragjykuar pronësinë e pronave në zonat e mbrojtura, kufizime të veçanta do të aplikohen për aktivitetet brenda këtyre zonave për të garantuar ekzistencën dhe funksionimin e këtyre hapësirave fetare dhe kulturore […]”. (këtu)

Në vitin 2008, bazuar në këtë dokument, u miratua Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse, si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë. Ai gjithashtu mbron vendet kulturore dhe historike që kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. (këtu)

Edhe në nenin e 7-të të propozimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që u pranua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, thuhet se “palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”. (këtu)


“Politika” në tekst citon edhe ish-gazetarin dhe politikanin Ratko Dmitroviq, i cili bën një sërë pretendimesh që nuk kanë ndonjë bazë të dokumentuar. Ai pretendon se ish-presidenti Ibrahim Rugova, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi janë katolikë dhe se Albin Kurti po fsheh fenë e tij, me disa pretendime se ky i fundit ka pranuar besimin katolik. Pretendimet e bëra nga ky gazetar, i cili nuk ofron fakte të dokumentueshme, mund të tingëllojnë si teori konspirative.

Në mungesë të provave dhe të deklaratave zyrtare, shpërndarja e pretendimit se Albin Kurti i ka ofruar Vatikanit kishat ortodokse serbe në Kosovë mund të konsiderohet si një teori konspirative.


Analiza:

Artikulli në gazetën e përditshme “Politika” që pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dyshohet se i ka ofruar Vatikanit kishat ortodokse serbe në Kosovë është publikuar pa fakte.

Plani i Ahtisaarit, mbi të cilin është përpiluar Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura i miratuar në vitin 2008 si dhe plani franko-gjerman i pranuar në shkurt të vitit 2023, e mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Pretendime t se Rugova, Haradinaj dhe Thaçi janë katolikë dhe se Albin Kurti fsheh fenë e tij, duke pretenduar se ai ka pranuar besimin katolik, tingëllojnë si teori konspirative pa fakte të dokumentueshme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406