[email protected]
Ende nuk dihet nëse personat që nuk janë regjistruar, nuk do të marrin shërbime nga shteti
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar se personat që nuk marrin pjesë në regjistrim të popullsisë, nuk do të mund të marrin shërbime nga shteti.

Artikulli me këtë pretendim në titull është publikuar më 24 maj në mediumet “kosovanews.net” dhe “kosovapost.net”. Të dyja janë marrë për bazë një deklaratë të shefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, për “Radio Dukagjinin”. (shih këtu)

Por çfarë nuk shkon me këtë artikull?

“Personat që nuk morën pjesë në regjistrim të popullsisë, nuk do të mund të marrin shërbime nga shteti” është titulli i publikuar në artikujt në dy portalet në fjalë.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se titulli nuk përkon me deklaratën e vetë Kastratit.

Fillimisht, në lajmin e dy mediumeve, ai është cituar të ketë thënë se “ata persona që nuk janë regjistruar ‘nuk mund marrin shërbime nga shteti, nëse merret përvoja e shteteve të tjera’”.


Vegëzat e artikujve:

https://archive.is/pJNts

https://archive.is/V4iOX


E të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe në konferencën për media të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të hënën (27 maj). Madje ai ka theksuar se bëhet fjalë për disa shërbime si dhe se nuk është i sigurt nëse të gjitha institucionet do të jenë strikte në këtë aspekt. Sipas tij, kjo vlen për shkak se në shumë institucione kërkohen numrat personalë dhe po që se nuk figurojnë, atëherë shërbimet s’mund të realizohen.

Pjesë nga deklarata e Kastratit në konferencën për media të hënën, pas procesit të regjistrimit të popullsisë:

“Gjatë gjithë kohës përmes konferencave, edhe intervistave, por edhe artikujve e shkresave u kemi bërë thirrje qytetarëve sepse investimi i Qeverisë në këtë projekt… pritjet janë që do t’i shfrytëzojnë të dhënat shumë institucione. S’jam i sigurt nëse krejt institucionet do të jenë strikte sepse ka edhe ligje të tjera që duhet t’u shërbejnë qytetarëve, por me sa di unë, me sa kam qasje disa shërbime nuk do t’u ofrohen qytetarëve. Disa shërbime po flas. Për qytetarët që nuk kanë qenë pjesë e regjistrimit të popullsisë. Sigurisht kjo vjen pas 6 muajsh kur t’i pastrojmë të dhënat. Pa i pastruar të dhënat s’mund të japim informacion tek institucionet tjera”. (shih këtu)


Çka thotë ligji për ata që refuzojnë të regjistrohen?

Bazuar në nenin 23 të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, personi i cili refuzon t’i japë të dhënat që i kërkon regjistruesi ose personi tjetër i autorizuar për Regjistrim, ose me vetëdije jep informata të pakompletuara dhe të pasakta, dënohet me gjobë nga 30 euro deri në dymijë euro, ndërsa personi juridik deri në 20 mijë euro. Përjashtim bën paragrafi që specifikon se çdo banor është i lirë të mos e deklarojë përkatësinë e vet etnike dhe religjioze. (shih këtu)


Analiza:

Është pretenduar përmes titullit se “Personat që nuk morën pjesë në regjistrim të popullsisë, nuk do të mund të marrin shërbime nga shteti”.

Pas verifikimit del se titulli është nxjerrë nga një deklaratë e shefit të ASK-së, Avni Kastrati, por që, sipas përmbajtjes në artikuj, nuk e ka thënë si gjë të përfunduar, por ka shtuar se kjo mund të ndodhë nëse merren praktikat e shteteve të tjera. Për më shumë, në konferencën e mbajtur sot, Kastrati ka deklaruar se kjo mund të vlejë në “disa” institucione dhe se “nuk është i sigurt nëse krejt institucionet do të jenë strikte”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406