[email protected]
Pretendohet rrejshëm për rritje në 80% të krimeve gjatë qeverisjes së Albin Kurtit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është gjetur i publikuar një imazh që tregon një artikull ku pretendohet se krimet në Kosovë, janë rritur për 80%, duke iu referuar mediave britanike.

Imazhi është publikuar dje (29 maj) në TikTok, nga një llogari me emrin “azempajaziti”.

E verteta?

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi i supozuar, nuk është i saktë.


Vegëza e imazhit të publikuar në TikTok nga llogaria “azempajaziti”:

https://archive.is/ra0kr


Pasi që në këtë imazh, ky pretendim shfaqet me anë të një artikulli të publikuar në një portal, hibrid.info ka kërkuar për artikullin në fjalë, për të më marrë më shumë të dhëna mbi informatat e pretenduara, por nuk ka arritur të gjejë atë (shih këtu).

Detaje tjera që vërehen në artikullin e shfaqur në imazh, janë gabimet në të shkruar të përmbajtjes.


Ndërsa, duke u referuar në raportet vjetore të Policisë së Kosovës nga vitet 2019 – 2023, bazuar në numrin e rasteve të vlerësuara si vepra penale, hibrid.info ka gjetur se nuk është evidentuar rritja e apostrofuar e këtyre veprave, gjatë kësaj periudhe (shih këtu, këtu dhe këtu), në krahasim me vitin 2019, i cili është marrë për krahasim, për shkak se në këtë kohë, Albin Kurti nuk ishte në krye të qeverisë (shih këtu).


Hibrid.info ka hulumtuar edhe më thellësisht për artikuj në gjuhën shqipe që raportojnë për shkrimet në mediat britanike, me temë Kosovën. Nga ajo çka është gjetur, hibrid.info ka gjetur se raportimet e mediave në Britaninë e Madhe, kryesisht fokusohen në gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe për çeshtje të cilat nuk lidhen me punët e brendshme të Kosovës (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se sipas mediave britanike, krimet në Kosovë janë rritur me 80%, që nga ardhja në krye të vendit të Albin Kurtit, nuk është i vërtetë.

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë raportim në lidhje me këtë çështje nga mediat britanike si dhe raportet vjetore të Policisë së Kosovës, në bazë të rasteve të vlerësuara si vepra penale, nuk tregojnë për rritjen e pretenduar të krimeve në këtë periudhë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »
1406