info@hibrid.info
Mbyllen më shumë se dhjetë llogari në TikTok që publikuan keqinformata para dhe gjatë fushatës zgjedhore
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Para dhe gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë një numër i madh i keqinformatave në lidhje me zgjedhjet u publikuan në median sociale TikTok.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, hibrid.info gjatë monitorimit të rregullt të këtyre llogarive në TikTok ka vërejtur se disa prej tyre tashmë nuk janë aktive (të mbyllura).

Gjatë muajve të fundit, këto llogari kanë publikuar keqinformata që lidheshin me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, partitë apo liderët e tyre.

Hibrid.info ka gjetur se nga këto llogari, njëmbëdhjetë prej tyre tashmë nuk ekzistojnë në TikTok.

Lista e këtyre llogarive që kanë shpërndarë keqinformata në lidhje me zgjedhjet: partiademokratike88, mezatarum, _albinkurti, cr7shqip, albiin_kurti, dedekt1v1, albin_kurti2, fakte_interesante_ks, toro…06, fokusi.dites dhe kingalbinkurti.



Llogaria “partiademokratike88” ka publikuar tri përmbajtje keqinformuese në lidhje me zgjedhjet të cilat janë vlerësuar nga hibrid.info si lajme të rreme dhe mashtrim. (shih këtu, këtu dhe këtu)

“Mezatarum” është llogaria që kishte publikuar një sondazh për zgjedhjet e 9 shkurtit, i cili pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info rezultoi të jetë i rremë. (shih këtu)

Llogaria me emrin “_albinkurti”, kishte publikuar një përmbajtje me pretendimin “Lajmi i fundit: Opozita dergon ne kushtetuese vendosjen e flamurit”. Ndonëse nuk është specifikuar, në bazë të imazhit të përdorur në këtë pretendim, lihet të kuptohet se bëhet fjalë për vendosjen e flamurit në objektet e institucioneve të Kosovës në veri të vendit. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, kjo përmbajtje u vlerësua si “Lajm i rremë”. (shih këtu)

Një përmbajtje e publikuar nga llogaria “cr7shqip”, përmes një imazhi ku shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan kishte pretenduar se Turqia do t’i dhurojë Kosovës helikopter. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi është i montuar dhe se nuk ka asnjë informacion të publikuar në burime kredibile, që dëshmon një pretendim të tillë. Kjo përmbajtje u vlerësua si “Lajm i rremë”. (shih këtu)

Dy deklarata të rreme me pretendimin se janë thënë nga kandidatët për kryeministër nga radhët e LDK-së dhe PDK-së, janë publikuar nga llogaria “albiin_kurti”. (shih këtu dhe këtu)

Dy sondazhe të rreme me pretendimin se janë kryer nga amerikanët, u publikuan nga llogaria “dedekt1v1”. (shih këtu)

Hibrid.info ka trajtuar dy publikime të llogarisë “kingalbinkurti” në fund të dhjetorit. Një ishte pretendimi se analisti Dardan Gashi ka thënë që “Albin Kurti është i vetmi i cili nuk është dorëzuar kurrë” dhe tjetri se Agim Veliu ka thënë që “asnjë mundësi nuk e ka LDK-ja që ta mundë Albin Kurtin”. Të dyja ishin të vlerësuara si lajme të rreme. (shih këtu dhe këtu)

Në një pretendim të llogarisë “fokusi.dites” që u trajtua nga hibrid.info, pretendohej rrejshëm se “Albin Kurti ka folur për të harruar të kaluarën me serbët”. (shih këtu)

Llogaria “albin_kurti2” përmes një postimi ka pretenduar për sondazh të kryer lidhur me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e që Lëvizjen Vetëvendosje e ka paraqitur si të parën me 76%. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky sondazh rezultoi të jetë i rremë”. (shih këtu)

Përmes një videoje, llogaria “toro…06” ku paraqitet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u pretendua si përkrahje e saj ndaj LVV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Mirëpo, pas verifikimi të fakteve u vërtetua se videoja është e vjetër, e realizuar para katër vitesh (para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021), kur ajo ishte kandidate për deputete në radhët e Listës Guxo, që në atë kohë garonte në zgjedhje si pjesë e listës së LVV-së. Kjo përmbajtje u vlerësua si “Dezinformatë”. (shih këtu)


Gjatë muajve të fundit (nëntor, dhjetor, janar) TikTok u regjistrua një rritje në përhapjen e keqinformatave, duke u bërë burim shqetësues i informacionit të pasaktë dhe manipulues.

Raporti monitorues i keqinformimit për muajin nëntor – 2024 tregon se në llojet e mediave sociale, TikTok ka pasur dominimin më të madh në shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese, me përqindje prej 57%.

Raporti monitorues i keqinformimit për muajin dhjetor – 2024 tregon se TikTok kryesonte me 55% të përmbajtjeve keqinformuese që ishin shpërndarë.

Raporti monitorues i keqinformimit për muajin janar – 2025, tregon se përqindja e përmbajtjeve keqinformuese në TikTok u rrit në 67% (12% më shumë se në muajin dhjetor).

Share With Others

Leave a Reply

Translate »