Llogaria me emrin “Investiguesi Shkrimor” ka publikuar me datë 5 prill imazhin e Selisë Qendrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Bruksel, duke pretenduar se dizajni i këtij objekti përshtatet me simbolet naziste SS.
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron dhe se dizajni i ndërtesës së NATO-s në Bruksel simbolizon konceptin e gishtërinjve të lidhur.
Vegëza e postimit të publikuar nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur informacionin e publikuar në ueb-faqen zyrtare të NATO-s “nato.int”, në të cilën jepen sqarime rreth dizajnit të ndërtesës në Bruksel. (këtu)
Pjesë nga informacioni rreth dizajnit të ndërtesës së NATO-s në Bruksel, i përkthyer në shqip:
Dizajni i ndërtesës së re pasqyron unitetin dhe përshtatshmërinë e Aleancës. Uniteti i saj manifestohet përmes konceptit të gishtërinjve të lidhur, ndërsa përshtatshmëria e tij sigurohet nga objektet më të avancuara, duke e lejuar ndërtesën të përshtatet me nevojat në zhvillim të Aleancës.
Analiza:
Një llogari në Facebook ka pretenduar rrejshëm se dizajni i ndërtesës së Selisë Qendrore të NATO-s në Bruksel përshtatet me simbolet naziste SS.
Hibrid.info ka gjetur të dhëna rreth dizajnit të kësaj ndërtese, e që është vërtetuar se ajo simbolizon gishtërinjtë e lidhur.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.